Policia e Korçës ka proceduar penalisht një 67-vjeçar i cili tentoi të fuste në Shqipëri 38 000 dollarë amerikanë të padeklaruar nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, policia ka ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin Gj. F.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup 38 000 dollarë amerikanë të padeklaruara.
Më tej, gjatë kontrollit në banesë, iu gjetën edhe 35 000 euro. Shumat monetare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, për shtetasin Gj. F., 67 vjeç, banues në Korçë, u referuan materialet në Prokurori për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.