Paratë janë zbuluar të fshehura, përkatësisht të murosura në mur, në shtëpinë e prindërve të gjyqtarit të dyshuar të Apelit, Gjoko Ristov. Hetuesit dhe prokuroria kanë marrë miratim për kontroll në shtëpinë në Negotinë, në kuadër të hetimit për korrupsion ku është i përfshirë edhe gjyqtari i Apelit, dhe sot kanë arritur të gjejnë 350.000 euro.
Paratë ndodheshin në një hapësirë të zbrazët pas një muri me tulla, mbi të cilin kishte edhe pllaka, kanë konfirmuar për Telma burime të njohura me hetimin.
“Sot u krye një kontroll i detajuar në një lokacion në Negotinë, në shtëpinë e prindërve të gjyqtarit tashmë të dyshuar, ku të murosura në një hapësirë brenda murit janë gjetur 350.000 euro, për të cilat ekzistojnë dyshime se janë të përfituara dhe të fshehura në mënyrë të paligjshme. Kontrollet dhe veprimet e tjera hetimore vazhdojnë, ndërsa publiku do të informohet për rrjedhën e mëtejshme të procedurës”, njoftoi Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Por, ky nuk ka qenë kontrolli i parë në objekte të lidhura me gjyqtarin Ristov. Dje është kontrolluar një vikend-shtëpi e gjyqtarit pranë Negotinës, ndërsa një muaj më parë ka pasur kontroll edhe në një objekt tjetër. Urdhrat gjyqësorë ishin siguruar, por hetimi nuk kishte arritur të konfirmojë informacionet për para të fshehura.
Informacionet kyçe janë marrë nga shërbimet e sigurisë, ndërsa prokuroria njoftoi se hetimi është mbështetur edhe me informacione dhe raportime nga Agjencia për Siguri Kombëtare . Sipas Telma-s, raportimet kanë të bëjnë me disa lokacione për bunkerë të fshehtë për para në shtëpinë në Negotinë.

Gjatë kontrollit, hetuesit kanë zbuluar edhe një bunker të zbrazët, për të cilin dyshohet se më herët është përdorur për fshehjen e sendeve dhe parave. Janë përdorur edhe pajisje speciale për kontrollin e brendësisë së mureve. Paratë, në fund, janë zbuluar të fshehura në mur në të njëjtën mënyrë siç veprojnë kartelët meksikanë të drogës.

Gjyqtari dyshohet për përfitim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, por për shkak të imunitetit gjyqësor nuk është arrestuar. Hetimi do të vazhdojë, ndërsa nga prokuroria theksojnë se bëhet fjalë për një hetim të parë të këtij lloji në vend.
“Bëhet fjalë për një nga hetimet më të gjera deri më tani për dyshime për korrupsion të nivelit të lartë në shtet, i mbështetur me informacione dhe raportime nga Agjencia për Siguri Kombëtare. Veprimet e koordinuara nga prokurori publik po realizohen nga Departamenti për Luftë Kundër Krimit të Organizuar pranë MPB-së dhe Policia Financiare, përkushtimi dhe integriteti profesional i të cilëve kanë kontribuar në zbulimin dhe sigurimin e provave për një nga format më serioze dhe komplekse të kriminalitetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Hetimi është hapur në mesin e dhjetorit, pas arrestimit të avokatit dhe ish-avokatit të shtetit Fehmi Stafa, i cili si mbrojtës i të arratisurit Ljupço Pecov – “Djalli” kishte marrë 50.000 euro për t’i “rregulluar” çështjen dhe për të korruptuar një gjyqtar me qëllim zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Në atë lëndë, OJО GOKK fillimisht njoftoi për përfshirjen e një gjyqtari të Apelit, pa dhënë detaje shtesë. Stafa ndodhet në paraburgim, ndërsa klienti i tij, Pecov – Djalli, pas dy vitesh arratie, ka përfituar arrest shtëpiak.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com