Popullsia e Kinës u ul për të katërtin vit me radhë në 2025, ndërsa numri i lindjeve ra në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave zyrtare.
Popullsia u ul me 3.39 milionë, duke arritur në 1.405 miliardë, një rënie më e shpejtë se në 2024. Lindjet ranë në 7.92 milionë në 2025, nga 9.54 milionë në 2024, ndërsa vdekjet u rritën në 11.31 milionë nga 10.93 milionë në vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës (NBS). Norma e lindshmërisë ra në 5.63 lindje për çdo 1 mijë banorë.
Yi Fuxian, demograf në Universitetin e Wisconsin-Madison, tha se lindjet në 2025 ishin “afërsisht në të njëjtin nivel si në vitin 1738, kur popullsia e Kinës ishte vetëm rreth 150 milionë.”
Norma e vdekshmërisë në Kinë në 2025 ishte 8.04 për çdo 1mijë banorë, niveli më i lartë që nga viti 1968. Popullsia ka nisur të zvogëlohet që nga 2022 dhe po plaket shpejt, duke e komplikuar planin e Pekinit për të rritur konsumimin e brendshëm dhe për të kontrolluar borxhin.
Sipas të dhënave të NBS, personat mbi 60 vjeç përbëjnë rreth 23% të popullsisë totale. Deri në 2035, parashikohet që numri i personave mbi 60 vjeç të arrijë 400 milionë, sa popullsia e SHBA-ve dhe Italisë së bashku, që do të thotë se qindra miliona njerëz do të dalin nga forca punëtore në një kohë kur buxhetet për pensione janë tashmë të ngarkuara. Kina ka rritur tashmë moshën e daljes në pension: burrat pritet të punojnë deri në 63 vjeç, nga 60 më parë, dhe gratë deri në 58 vjeç, nga 55 më parë.
Martesat në Kinë ranë me një të pestën në 2024, rënia më e madhe e regjistruar ndonjëherë, me mbi 6.1 milionë çifte që u martuan, nga 7.68 milionë në 2023. Martesat janë zakonisht një tregues kryesor i lindshmërisë në vend.
Demografët thonë se vendimi në maj 2025 për të lejuar çiftet të martohen kudo në vend, jo vetëm në vendbanimin e tyre, mund të sjellë një rritje të përkohshme të lindjeve.
Në tremujorin e tretë të 2025, martesat u rritën me 22.5% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur 1.61 milionë, duke e vënë Kinën në rrugë për të ndalur një rënie prej dekadash. Të dhënat e plota për 2025 do të publikohen më vonë gjatë vitit.
Autoritetet po përpiqen gjithashtu të promovojnë “qasje pozitive ndaj martesës dhe lindjeve” për të kundërshtuar efektet afatgjata të politikës së një fëmije, që ishte në fuqi nga 1980 deri në 2015, e cila ndihmoi në uljen e varfërisë, por ndryshoi strukturën e familjeve dhe shoqërisë kineze.
Lëvizja e popullsisë ka përkeqësuar sfidën demografike, me shumë njerëz që zhvendosen nga zonat rurale në qytete, ku rritja e fëmijëve është më e shtrenjtë. Norma e urbanizimit në Kinë ishte 68% në 2025, nga rreth 43% në 2005.
Politikëbërësit e kanë bërë planifikimin e popullsisë një pjesë të rëndësishme të strategjisë ekonomike të vendit. Sipas vlerësimeve të Reuters, Pekini mund të përballet me kosto prej rreth 180 miliardë juanësh (25.8 miliardë dollarë) për të rritur lindjet këtë vit.
Masat përfshijnë një subvencion kombëtar për fëmijët, të prezantuar vitin e kaluar, dhe një angazhim që nga 2026 gratë të mos kenë “shpenzime personale” gjatë shtatzënisë, me të gjitha kostot mjekësore, përfshirë IVF të rimbursuara plotësisht nga fondi kombëtar i sigurimeve shëndetësore.
Kina ka një nga normat më të ulëta të fertilitetit në botë, me rreth një lindje për çdo grua, shumë më poshtë normës së zëvendësimit prej 2.1. Vende të tjera në Azinë Lindore, përfshirë Tajvanin, Korenë e Jugut dhe Singaporin, kanë nivele po aq të ulëta fertiliteti, rreth 1.1 lindje për çdo grua.
Grupi i grave në moshë riprodhuese të definuara nga OKB si gratë nga 15 deri në 49 vjeç, parashikohet të zvogëlohet me më shumë se dy të tretat, duke u ulur nën 100 milionë deri në fund të këtij shekulli.