Fondacioni ALSAR dhe Shoqata TIRANA mbajtën simpoziumin për 35-vjetorin e rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut dhe rikthimin e lirisë së besimit
Në përvjetorin e 35-të të ngjarjes që vulosi fundin e turpshëm të ateizmit shtetëror në vendin tonë, rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut, dhe rikthimit të lirisë së besimit, Fondacioni ALSAR dhe Shoqata Tirana mbajtën në Hotel “Tirana International” një simpozium.
Salla “Balsha” u mbush plot këtë të dielë të 18 janarit, ndërsa mirëpriti figura të lidhura me aktin e guximshëm të vitit 1991, familjarë e pasardhës të protagonistëve të atëhershëm, dhe qytetarë të kryeqytetit.
Simpoziumi u hap me këndim Kur’ani dhe me dëgjimin më pas të Himnit Kombëtar.
Në fjalën përshëndetëse, Mehdi Gurra, kryetari i Fondacionit ALSAR, ngriti lart rëndësinë e rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut më 18 janar 1991. Ai tha:
“Zonja dhe zotërinj!
Të ftuar dhe të pranishëm në këtë sallë!
Ju uroj mirëseardhjen në simpoziumin e organizuar nga Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Shoqatën TIRANA për një ngjarje që është pa dyshim një prej gurëve të parë dhe më domethënës kilometrikë në hapjen e epokës së re pasdiktatoriale kur kishte mbetur dhe një dhjetëvjeçar nga mbyllja e shekullit të kaluar.
Rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut nuk ishte një akt spontan i nxitur nga rrjedha e ngjarjeve, por shprehje e fortë e guximit qytetar dhe e shpirtit fetar të tiranasve, bij të një qyteti që nuk u pajtua kurrë me komunizmin vrasës dhe ateizmin çnjerëzor, sepse besimi i vërtetë, siç na mëson Kur’ani, është i ngulitur në zemra dhe nuk çrrënjoset me dhunë: ‘Nuk ka dhunë në fe. E vërteta është dalluar qartë nga e kota.’ (Kur’an; el-Bekare, 256)
Pavarësisht përpjekjeve prej asaj kohe e deri më sot për ta lënë në hije apo në qoshe të historisë këtë thyerje vargonjsh të errësirës së kuqe dhe ripërqafim të lirisë së besimit, derdhja e popullatës në dyert e xhamisë ikonike në zemër të kryeqytetit të shqiptarisë atë
18 janar të vitit 1991 shënon sfidimin e parë të regjimit në agoni, pikërisht në sheshin qendror të pushtetit të tij simbolik.
Asnjëherë nuk kishte përjetuar ky shesh një grumbullim të tillë për të dëgjuar ezanin si himn të lirisë; as studentët e dhjetorit nuk ia kishin dalë të zbrisnin aty gjer në atë çast. Për më tepër, vetëm pa muaj më parë, në një miting të regjimit në të njëjtin shesh ishin dëgjuar premtime dhe betime për besnikëri ndaj një ideologjie që mohonte Zotin, ndërsa sot kumbonte fjala që i mbijeton çdo tiranie: ‘Allahu është Dritë e qiejve dhe e tokës.’ (Kur’an; en-Nur, 35)
Miopia dhe shpresa e kotë e dalëzotësve të ideologjisë antiZot u rrëzuan shpejt, sepse hapja e xhamisë e ktheu pushtetin e pretenduar rrejshëm te sundimi i vërtetë – sundimi që nga fillimi i ekzistencës e deri në fund të saj i përket vetëm Krijuesit!
Prandaj rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut në janarin e akullt, por shpirtërisht të nxehtë, në kapërcyell të dy epokave duhet parë shumë më gjerë dhe shumë më thellë: si një dëshmi e qartë e fuqisë hyjnore mbi çdo plan e komplot njerëzor, mbi çdo shpirtligësi dhe mizori të krijesave që dalin nga udha e drejtë!
Pjesëmarrës të nderuar në simpozium!
Nismëtarët e hapjes së Xhamisë së Et’hem Beut kanë merituar shumë më tepër përmendje, vlerësim e mirënjohje për çfarë përgatitën e bënë në pak javë. Aspirata, përpjekja dhe finalizimi me sukses i hapjes së dyerve të një objekti të heshtur për mbi dy dhjetëvjeçarë i kanë gdhendur emrat e tyre jo vetëm në historikun e rilindjes së besimit të lirë, por edhe në historinë e qytetarëve më të denjë të Tiranës.
Ata u bënë shembull i asaj që Profeti Muhammed ka thënë: ‘Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që bëhen me sinqeritet, edhe nëse janë të pakta.’ (Hadith)
Institucione me autoritetin përkatës, të njohur nga ligji apo statusi i tyre, do të duhej t’ua kishin çmuar meritën e t’ua kishin shprehur falënderimin shumë më herët e në mënyrën më të denjë këtyre pionierëve të rikthimit të lirisë së besimit, përmes rikëndimit të thirrjes për namaz nga minarja e qendrës së kryeqytetit.
Ajo që ne, Fondacioni ALSAR dhe Shoqata TIRANA, po bëjmë sot është një akt nderimi për një brez të tërë, duke veçuar më të parët dhe më të dalluarit në rikthimin e së drejtës njerëzore dhe shoqërore për besim të lirë, të sinqertë e të paprekshëm në Zot!
Dua të theksoj se për emrat e veçuar për nderim me tituj jemi mbështetur në referenca të kohës, në artikuj e shkrime ku janë përmenduar si pjesëtarë të komisionit nismëtar për rihapjen e Xhamisë së Et’hem Beut. Kjo nuk e kufizon aspak nderimin dhe mirënjohjen tonë për të gjithë ata që u angazhuan në këtë sipërmarrje të guximshme 35 vite më parë.
Simpoziumit i uroj punime të mbara, kumtuesve ligjërim të dobishëm, dhe të gjithë të pranishmëve dëgjim të mbarë!
E lusim Zotin e Madhëruar që këtë organizim ta pranojë si vepër të mirë, për organizatorët dhe pjesëmarrësit, dhe si dëshmi për brezat që vijnë!”
Fjala përshëndetëse në radhë, e kryetarit të Shoqatës TIRANA, z. Rushdi Keçi, e shkurtër dhe e përmbledhur, përmbante dhe shprehjen e kënaqësisë për këtë bashkëpunim mjaft pozitiv me Fondacionin ALSAR, në organizimin dhe mbajtjen e simpoziumit.
Përfaqësuesi në simpozium i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, Adem Gerlegiz, vuri në pah restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut nga TİKA në fillim të kësaj dekade dhe rivënien në funksion me pjesëmarrjen në ceremoni të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Simpoziumi vijoi me mbajtjen e tre kumtesave. Prof. Xhemal Balla foli për “Emocione nga rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut”. Nga z. Saimir Rusheku u dëgjua kumtesa me temën, “35 vjet nga rihapja e Xhamisë së Et’hem Beut dhe rikthimi i lirisë së besimit”. Kumtuesi i tretë, z. Admirim Banaj, kishte zgjedhur gjithashtu një temë të ngjashme, “Rihapja e Xhamisë Et’hem Bej për besimtarët muslimanë”.
Pas dëgjimit me vëmendje të kumtesave u dhanë titujt e nderit. Me tituj u nderuan: Xhavit Alimehmeti, Ramazan Rusheku, prof. Xhemal Balla, dr. Shefqet Ndroqi, Ibrahim Balla, Faik Kasollja, dr. Qazim Bakalli, Selim Stafa, Islam Kadesha, Bardhyl Fico, Iljaz Alimehmeti, Mehmet Sinella dhe Fadil Subashi.
Piktori Adnan Deda paraqiti për të pranishmit një punim ku përfaqësohej brezi i tërë i atyre që morën përsipër dhe bënë rihapjen e Xhamisë së Et’hem Beut më 18 janar 1991. Nëpërmjet portretit të të ndjerit Ramazan Rusheku, fqinjit dhe frymëzuesit të piktorit në të ri të tij, ishte synuar vështrimi i një brezi të devotshëm, të përqafuar fort me Islamin.
Simpoziumi e përmbushi më së mirë qëllimin për përkujtimin në këtë përvjetor të rihapjes së Xhamisë së Et’hem Beut, të hedhjes dritë mbi të, dhe të shprehjes së mirënjohjes dhe nderimit të thellë për protagonistët, besimtarë dhe qytetarë të Tiranës.