ASH alarmon: Qeveria po degradon NJPB Strugë–Dibër–Kërçovë, rrezikohet përfaqësimi institucional i shqiptarëve

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj informatave se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, po përgatit ndryshime ligjore dhe një riorganizim të ri të vendeve të punës, të cilat, sipas ASH-së, cenojnë drejtpërdrejt statusin institucional të Strugës, Dibrës dhe Kërçovës informon Tetovasot.
Në një konferencë për media, zëdhënësja e ASH-së, Njomza Asani Shaqiri, tha se sipas këtyre ndryshimeve, Njësia për Punë të Brendshme Strugë–Dibër–Kërçovë parashihet të degradohet në njësi të kategorisë së dytë, duke humbur kompetencat operative, strukturën komanduese dhe autonominë funksionale, ndërsa kompetencat do të transferoheshin nën Sektorin për Punë të Brendshme në Ohër.
Sipas saj, ky riorganizim nuk është çështje teknike, por ka pasoja serioze politike, institucionale dhe shoqërore, pasi në qytete me shumicë shqiptare nuk parashihen më pozita kyçe drejtuese në strukturat e sigurisë, si kryeshef policie, kryeshef për luftimin e krimit dhe zëvendëskomandant në stacionet policore.
ASH thekson se heqja e këtyre pozitave përbën goditje të rëndë ndaj përfaqësimit institucional të shqiptarëve dhe rrezik për sigurinë lokale dhe besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Veçanërisht shqetësues, sipas ASH-së, është edhe emërimi i kryeshefit të Sektorit Rajonal për Kufirin të MPB-së me seli në Ohër, ku pas më shumë se dy dekadash përfaqësimi shqiptar, në vitin 2025 është emëruar një kuadër maqedonas, duke u injoruar parimi i përfaqësimit të drejtë dhe realiteti demografik.
“Asgjë nga kjo nuk është e rastësishme. Këto veprime cenojnë parimet kushtetuese të barazisë dhe bashkëjetesës ndëretnike dhe minojnë besimin ndërmjet komuniteteve”, tha Asani Shaqiri.
Aleanca për Shqiptarët u bëri thirrje përfaqësuesve të koalicionit VLEN që të reagojnë urgjentisht dhe të marrin përgjegjësi politike në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Strugë, Dibër dhe Kërçovë.
“Heshtja në këtë rast nuk është neutralitet — heshtja është bashkëpërgjegjësi”, theksoi ajo, duke shtuar se ASH nuk do të lejojë zhbërjen e përfaqësimit institucional të shqiptarëve përmes vendimeve administrative apo manovrave politike.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com