Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, së bashku me konsorciumin e projektit ENVIROPLAN S.A. (lider) – WEGlobal, sot në Shkup mbajti punëtorinë përmbyllëse të projektit “Mbështetje për zbatimin e sistemeve rajonale për menaxhimin e mbetjeve në Rajonin Lindor dhe Verilindor (NEAR/SKP/2022/EA-RP/0137)”, të financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA, me ç’rast u shënua formalisht përfundimi i zbatimit të projektit.

Në hapjen e ngjarjes, fjalim përshëndetës mbajtën zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Llaskoska, drejtuesi i Sektorit për Bashkëpunim në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Shtefan Hudolin, ku u theksua rëndësia strategjike e projektit për vendosjen e një sistemi të integruar, të qëndrueshëm dhe të harmonizuar me standardet evropiane për menaxhimin e mbeturinave në nivel rajonal.

Qëllimi i punëtorisë ishte prezantimi i objektivave të projektit, aktiviteteve kyçe dhe rezultateve të arritura, si dhe hapja e diskutimeve për hapat e ardhshëm drejt zbatimit të plotë të sistemeve rajonale për menaxhimin e mbeturinave në dy rajonet planore, në përputhje me legjislacionin evropian dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Projekti paraqet një parakusht kyç për kalimin nga zgjidhje të fragmentuara drejt zgjidhjeve sistemore në menaxhimin e mbetjeve.

Në fjalimin e saj, zëvendësministrja Llaskoska theksoi se projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm nga planet drejt realizimit:

“Ky projekt tregon se politikat evropiane nuk mbeten vetëm në letër, por shndërrohen në rezultate konkrete dhe të matshme në terren – përmes forcimit të kapaciteteve institucionale, përmirësimit të infrastrukturës dhe krijimit të kushteve për menaxhim të qëndrueshëm të mbetjeve.”

Ajo shtoi se aktivitetet e realizuara krijojnë një bazë të qëndrueshme për fazën e ardhshme:

“Me këtë projekt vendosim themelet për krijimin e sistemeve funksionale rajonale për menaxhimin e mbetjeve, me një vizion të qartë për ndërtimin dhe zbatimin e tyre praktik, në interes të qytetarëve dhe të mjedisit.”

Projekti, i cili u zbatua në një periudhë prej 24 muajsh, përfshiu hartimin e dokumenteve strategjike dhe teknike, studime për ndikimin në mjedis, forcimin e kapaciteteve të komunave dhe ndërmarrjeve publike komunale, si dhe furnizimin me automjete dhe kontejnerë për të gjitha 18 komunat në Rajonin Lindor dhe Verilindor. Me aktivitetet e projektit, veçanërisht në Rajonin Lindor, u mbyllën edhe lokacione kritike dhe jo standarde, duke dhënë kështu një kontribut të qartë në reduktimin e deponive ilegale dhe përmirësimin e standardeve ekologjike.

Projekti përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në procesin e harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian në fushën e mjedisit dhe është pjesë përbërëse e zbatimit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, si dhe e përpjekjeve kombëtare për vendosjen e sistemeve të qëndrueshme dhe moderne për menaxhimin e mbetjeve.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, me një vizion të qartë, vazhdon nga projektet drejt zbatimit të plotë – duke vendosur sisteme rajonale funksionale, të qëndrueshme dhe të harmonizuara me standardet evropiane për menaxhimin e mbeturinave, si zgjidhje të përhershme në interes të qytetarëve dhe të mjedisit.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com