Ambasadori i Turqisë vizitë urimi te kryetari Limani, sinjal i fuqizimit të bashkëpunimit me Gostivarin
Kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Valbon Limani, priti sot në një takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Turqisë, z. Fatih Ulusoy, në kuadër të vizitës së tij të parë urimi pas marrjes së mandatit nga kryetari Limani.
Gjatë takimit, kryetari Limani shprehu mirënjohjen e tij për vizitën e ambasadorit Ulusoy, duke e cilësuar atë si një dëshmi të marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore që Komuna e Gostivarit kultivon me Republikën e Turqisë. Ai theksoi se kjo vizitë përbën një bazë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, përfshirë kulturën, sportin, arsimin, si dhe shkëmbimin ekonomik dhe nxitjen e ideve për zhvillim të qëndrueshëm lokal.
Nga ana e tij, ambasadori Ulusoy e uroi kryetarin Limani për fitoren dhe marrjen e detyrës, duke nënvizuar se Turqia dhe Gostivari ndajnë vlera, histori dhe interesa të përbashkëta, të cilat duhet të shfrytëzohen si potencial për intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Në kuadër të vizitës, kryetari Limani dhe ambasadori Ulusoy realizuan edhe një vizitë të përbashkët në shkollën fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në Gostivar, institucion arsimor ku mësimin e ndjek një numër i konsiderueshëm nxënësish nga komuniteti turk. Vizita u vlerësua si një sinjal i rëndësishëm i përkushtimit ndaj arsimit dhe ruajtjes së diversitetit kulturor në komunë.