Qeveria e Grenlandës ka publikuar udhëzime për banorët e saj se si të veprohet në rast se ishulli goditet nga ndonjë krizë.

Në këto udhëzime ofrohen këshilla se si t’ia dilet mbanë për pesë ditë, nëse ka ndërprerje të gjatë ose të shkurtër të furnizimit me rrymë, raporton televizioni BBC.

Në udhëzime gjithashtu mbulohen fusha si uji i pijes, ushqimi, ilaçet, ngrohja dhe komunikimi në raste krizash, thekson transmetuesi britanik.

Këto këshilla janë përgatitur për ta “forcuar sigurinë e popullsisë” dhe “për t’u siguruar që niveli i përgjithshëm i përgatitjes i shoqërisë është edhe më i fortë”, tha ministri Peter Borg.

“Kjo nuk është një shprehje se presim një krizë” – shtoi ai.

Në udhëzime rekomandohen rezerva 5-ditore të ushqimit, tri litra ujë për person në ditë, letër tualeti, një radio me bateri, armë, municion e pajisje peshkimi.

Popullsia prej 57 mijë banorësh e Grenlandës – gati 90 për qind nga grupi indogjen Inuit – ka traditë të gjatë të gjahut dhe peshkimit si mjete kryesore të jetesës.

Të martën, kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se ka pak gjasa për një operacion ushtarak ndaj vendit të tij, por se ishulli megjithatë duhet të jetë i gatshëm.

Të mërkurën, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se nuk do ta përdorë forcën për ta marrë nën kontroll territorin autonom të Mbretërisë së Danimarkës./Nacionale

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com