Presidentja Vjosa Osmani ka zbuluar se Kosova e mori më 20 janar ftesën nga presidenti amerikan Donald Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes.

Osmani tha se ka shkuar në Davos vetëm pas kërkesës Shtëpisë së Bardhë që të jetë prezente për ceremoninë e nënshkrimit për themelimin e kësaj organizate, shkruan Reporteri.net.

Ajo deklaroi mbrëmë se shkoi atje vetëm për ta vënë firmën dhe se menjëherë do të niset për Kosovë.

“Ne kemi marrë ftesën me datën 20 janar, por ka qenë shumë vonë në fakt kur ka arritur ftesa dhe në momentin që kemi marrë ftesën për t’u bërë anëtare themeluese e Bordit të Paqes, në të njëjtën kohë kemi marrë edhe kërkesën nga ana e Shtëpisë së Bardhë që të jemi në Davos me datën 22 janar për nënshkrim. Unë nuk kam qenë në Davos. Nuk e kam pas në plan fare në fakt të udhëtoj kësaj radhe, megjithatë pas ftesës nga Presidenti Trump që të jem në mesin e nënshkruesve të kësaj organizate të paqes, e cila udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht që menjëherë kemi udhëtuar. Jemi vetëm sot këtu, menjëherë pas mesnate nisemi për Kosovë”, ka deklaruar Osmani.

E para e vendit e cilësoi ditën e djeshme me peshë historike.

“Pra, është një ditë do të thoja me peshë historike për të gjitha shtetet pjesëmarrëse, porn ë veçanti për Republikën e Kosovës. Për ne si shtet, anëtarësimi në çdo organizatë ndërkombëtare ka rëndësi”, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit në Bordin e Paqes si anëtare themeluese e me të drejta të plota.

Osmani foli edhe për bisedën që pati me Trump gjatë nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes, që e cilësoi si jashtëzakonisht pozitive.

Tha se biseda ishte vazhdimësi e asaj që e kishin filluar në shtator të vitit të kalaur.

“Mund ta ndaj që ka qenë një bisedë jashtëzakonisht pozitive për Kosovën dhe që është në interes të qytetarëve të Kosovës, këtë mund ta ndaj për momentin. Ka qenë vazhdimësi e bisedës që e kemi filluar në Kombet e Bashkuara në Neë York me datën 23 shtator, ka qenë vazhdimësi e kësaj”, ka thënë Osmani për Top Chanel.

Marrëveshja do t’i dërgohet për ratifikim Kuvendit të Kosovës për ta marrë miratimin final.

Liderët e Argjentinës, Armenisë, Azerbajxhanit, Bahreinit, Bullgarisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Hungarisë, Indonezisë, Jordanisë, Katarit, Kazakistanit, Kosovës, Marokut, Mongolisë, Pakistanit, Paraguait, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Uzbekistanit janë ata që kanë vënë firmat e tyre në ditën e themelimit të këtij bordi.

Trump e ka përshkruar organin e sapokrijuar si potencialisht “bordin më prestigjioz të formuar ndonjëherë”. Projekti e ka origjinën në planin e tij me 20 pika për armëpushim në Gaza, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, por është zgjeruar shumë përtej mandatit të tij fillestar./Reporteri.net

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com