Pronari i barit “Le Constellation” në Zvicër, i cili u dogj natën e Vitit të Ri ku humbën jetën 40 persona, do të lirohet nga paraburgimi pas pagesës së një garancie prej 200.000 frangash zvicerane, njoftoi gjykata kompetente.
Ai dhe bashkëshortja e tij janë nën hetim për vrasje nga pakujdesia dhe vepra të tjera penale. Si masa për parandalimin e arratisjes, atyre u është caktuar edhe detyrimi për t’u paraqitur çdo ditë në polici. Pronari ishte arrestuar më 9 janar për shkak të rrezikut të arratisjes.
Prokuroria zvicerane bëri të ditur se të dy të dyshuarit janë marrë në pyetje për më shumë se dhjetë orë, gjatë të cilave janë trajtuar çështje që lidhen me sigurinë dhe rikonfigurimin e objektit. Në kuadër të hetimeve janë kryer edhe bastisje dhe është sekuestruar pasuri.