Më shumë se 100 persona u arrestuan ditën e djeshme, si të dyshuar për dallavere me vota në komunën e Prizrenit, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ata ngarkohen për këto veprat penale: “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216, “Kanosja” nga neni 181, dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit të lidhur me votimin” nga neni 212 i KPRK-së. Në mesin e të arrestuarve janë edhe familjarë të kandidatëve për deputet, shkruan Reporteri.net.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, të premten në një konferencë për media deklaroi se keqpërdorimi shkon mbi 68 mijë vota dhe bëhet fjalë për një organizim për ta përmbytur rezultatin dhe vullnetin e qytetarëve.

“109 persona janë ndaluar lidhur me manipulimin e votave, derisa katër partitë kryesore në vend ‘i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe ata kanë menduar se larg syve të drejtësisë mund të manipulojnë. Sot secili prej atyre që ka guxuar t’i fus duart në vullnetin e qytetarëve është ballafaquar me forcën e ligjit. Këtu bëhet fjalë për manipulime brenda llojit, aty ku katër subjektet kryesore politike i kanë dërguar të preferuarit e tyre dhe kanë menduar se mund të manipulojnë. Këtu nuk bëhet fjalë për dhjetëra e qindra, por mijëra vota të manipuluara e falsifikuara. Ka kandidatë që kanë deri mbi 6 mijë vota të falsifikuara. Vetëm në një vendvotim janë manipuluar 244 vota, përderisa në regjionin tonë mund të them se është vetëm një klasë që ka dalë e pastërt. Diferenca totale e keqpërdorimeve është 68,017 vota. Po flasim për një organizim për ta përmbytur rezultatin dhe vullnetin e qytetarëve. Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin këto vota po të mos kishte vullnet të të gjithë komisionerëve të deleguar nga partitë”, tha Kryeziu.

Kryeprokurori tutje ka deklaruar se në mesin e të arrestuarve janë edhe pjesëtarë të subjekteve politike, si dhe familjarë të disa kandidatëve për deputetë.

“Kemi ftuar 121. Në mesin e këtyre një pjesë nuk janë, por një pjesë janë të pafajshëm. Ne nuk jemi të interesuar për të pafajshmit, por aty ku ka prova të veprojmë. 5 janë liruar dhe 109 janë ndaluar. Ka edhe prej tyre që nuk i janë përgjigjur ftesës. Ata janë edhe pjesë e subjekteve politike, por ka edhe prej tyre që janë familjarë dhe për ata që ne kemi pasë informata dhe që i kemi çuar në stacion policor, ka tani edhe vendime për ndalim”, tha Kryeziu.

Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Luan Ibrahimi, e cilësoi aksionin e sotëm si një prej operacioneve më të mëdha që ka realizuar Policia e Kosovës, duke theksuar sfidat e përballuara:

“Ne si Drejtori e Krimeve Ekonomike jemi angazhuar të marrim informacione për keqpërdorime, gjithashtu edhe me t’u pajisur me autorizimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, edhe përkundër vështirësive që kanë ndodhur për shkak se ky ka qenë një prej operacioneve më të mëdha që ka realizuar ndonjëherë Policia e Kosovës, ne jemi përgatitur, jemi mobilizuar”, tha ai./Reporteri.net/.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com