Pagës aktuale prej 10 milionë eurosh i shtohen bonuse sipas objektivit. Shpërblimi për fitimin e mundshëm të Botërorit 2026 kap shifrën e 5 milionë eurove.

Polemika të shumta shoqëruan emërimin e Carlo Ancelotti në krye të Brazilit, trajnerit të parë europian që drejton Seleçao-n. Por pas më pak se një viti Ancelotti ka fituar zemrat e tifozëve, madje edhe të gazetarëve dhe komentatorëve më skeptikë. Federata ndërkohë është gati për rinovimin e kontratës me italianin.

Kontrata aktuale skadon pas Botërorit 2026, pra një vit pas firmës. Kohët e fundit, teksa Ancelotti ishte me pushime në Kanada dhe SHBA, ka pasur shumë telefonata me drejtuesit e CBF (Federata Braziliane e Futbollit). Ka një akord paraprak për rinovimin deri në 2030-ën, që do të thotë edhe për një cikël botëror.

Italiani ka pagën më të lartë për një trajner kombëtareje: 10 milionë euro në vit, plus disa bonuse. Ka dhe një superbonus prej 5 milionë eurosh, në rast se fiton Botërorin e 6-të në historinë e Brazilit. Kontrata e re është e ngjashme sa i përket pjesës fikse, por ka bonuse të tjera shtesë në varësi të objektivave. Nëse fiton Kupën e Amerikës, për shembull. Kontrata e re do të firmoset në shkurt, sapo Ancelotti të kthehet në Rio de Janeiro.

Brazili ka zgjedhur ndërkohë vendin ku do të grumbullohet për Botërorin e radhës. Bëhet fjalë për Columbia Park Training Facility, një qendër në pronësi të Red Bull dhe që do të inaugurohet në mars. Lojtarët e Brazilit do të jenë të parët që do ta shijojnë. Këtë vend e kërkonte dhe Franca, por ka ndërhyrë personalisht Ancelotti, nëpërmjet mikut të tij Jurgen Klopp, drejtuesi i lartë i projektit futbollistik Red Bull.

Hoteli i prenotuar është “The Ridge”, në Basking Ridge, 65 kilometra nga Manhattan. Askush nuk do të hyjë në këtë hotel, që do të jetë totalisht në shërbim të brazilianëve.

Gjatë muajit mars Brazili do të luajë dy miqësore më 25 dhe 31, kundër Francës në Boston dhe kundër Kroacisë në Orlando.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com