Centrali i vetëm i energjisë elektrike në Gaza duket se është gati të rifillojë operacionet pas një ndërprerjeje më shumë se dyvjeçare për shkak të genocidit dhe bllokadës izraelite, tha sot kreu i Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Populli i Rripit të Gazës, sjellim lajme të mira se ka siguri dhe gatishmëri që impianti i prodhimit të energjisë të rifillojë operacionet”, tha Ali Shaath në platformën amerikane Facebook.
“Përveç përpjekjeve me palët ndërkombëtare për energjinë diellore, ne po punojmë me ofruesit e energjisë për të rikthyer furnizimin sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.
Shaath nuk dha detaje se si do të rikthehet energjia, mekanizmat që do të përdoren apo një afat kohor për këtë proces.
Që nga fillimi i genocidit izraelit në tetor 2023, Izraeli ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për Gazën dhe ka parandaluar hyrjen e karburantit të nevojshëm për funksionimin e impiantit, pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi që është në fuqi që nga tetori i kaluar.
Para shpërthimit të genocidit, energjia e disponueshme në Rripin e Gazës ishte rreth 212 megavat, më pak se gjysma e 500 megavatëve të nevojshme për një furnizim 24-orësh.
Mungesa e energjisë elektrike në Gaza ka pasur pasoja katastrofike në gjithë enklavën, duke ndikuar veçanërisht tek ofruesit e shërbimeve jetike dhe spitalet.
Gjatë dy viteve të genocidit, Izraeli gjithashtu ka goditur rrjetet e energjisë elektrike, duke shkatërruar rreth 5.080 kilometra linja energjie dhe 2.285 transformatorë të shpërndarjes mbi dhe nën tokë, sipas Zyrës Mediatike të Gazës. Humbjet totale në sektorin e energjisë elektrike në Gazë vlerësohen të jenë rreth 1,4 miliard dollarë.