Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka emocionuar ndjekësit e saj në rrjetet sociale, duke ndarë publikisht dashurinë dhe mirënjohjen e madhe që ndjen për gjyshen e saj, Besë Sahatçiu.
Përmes një storie të publikuar në Instagram, artistja ka treguar se ndihet e bekuar që e ka ende pranë gjyshen, duke theksuar se pavarësisht angazhimeve të shumta profesionale, lidhja emocionale me familjen mbetet shumë e fortë.
Rita ka falënderuar edhe motrën e saj, Elenën, e cila i ka dërguar një video të gjyshes, duke i rikujtuar momentet e çmuara familjare që shpesh i mungojnë për shkak të karrierës së saj intensive.

Foto: Rita Ora/InstaStory
“Të dua, gjyshe. Je aq e lezetshme dhe e mirë, më bën gjithmonë të qesh. Jam shumë mirënjohëse që të kam ende dhe që i dëgjoj të gjitha historitë e tua. Faleminderit motrës që ma dërgoi këtë video. Më mungojnë vërtet shumë momente familjare, por jam me fat që i kam këto kujtime dhe kohën që ende e ndajmë bashkë. Jam shumë mirënjohëse për këtë. Vlerësoni njerëzit tuaj të dashur, derisa janë ende gjallë”, ka shkruar Rita Ora.
Mesazhi i këngëtares, e njohur për hitin “Hot Right Now”, është pritur me reagime të shumta nga ndjekësit, të cilët kanë vlerësuar sinqeritetin dhe ndjeshmërinë e saj, duke e cilësuar si një kujtesë të bukur për rëndësinë e familjes dhe dashurisë për njerëzit më të afërt.