Presidenti amerikan, Donald Tramp, të mërkurën nisi një raund të ri retorik agresiv kundër Iranit…
Presidenti amerikan, Donald Tramp, të mërkurën nisi një raund të ri retorik agresiv kundër Iranit, duke sugjeruar se nëse Teherani nuk pranon një sërë kërkesash të vendosura nga qeveria amerikane, ai së shpejti mund të nisë një sulm “me shpejtësi dhe forcë” ndaj regjimit të Teheranit.
Presidenti amerikan nuk dha detaje rreth marrëveshjes që kërkonte, duke thënë vetëm se një “armadë masive” po shkonte drejt Iranit dhe se vendi duhet të bënte një marrëveshje. Megjithatë, zyrtarët amerikanë dhe evropianë thonë, sipas New York Times, se kanë bërë tre kërkesa ndaj iranianëve në bisedime: ndërprerjen e përhershme të të gjithë pasurimit të uraniumit dhe asgjësimin e rezervave ekzistuese, kufizimin e rrezes dhe numrit të raketave balistike dhe ndërprerjen e të gjithë mbështetjes për grupet që veprojnë si “satelitë” të Iranit në Lindjen e Mesme, përfshirë Hamasin, Hezbollahun dhe Huthët që veprojnë në Jemen.
Sipas sekretarit të shtetit të ShBA-së, Marko Rubio, duke folur para ligjvënësve amerikanë, grumbullimi i forcave rreth Iranit është kryesisht mbrojtës, sepse dhjetëra mijëra trupa amerikane në rajon ishin “brenda rrezes së dronëve dhe raketave balistike iraniane”.
Ai tha se ishte “e mençur dhe e kujdesshme” të rritej prania amerikane, por se forcat amerikane mund të “veprojnë edhe në mënyrë parandaluese” kundër Iranit.