Lufta në Ukrainë, BE paralajmëron: Rusia po përpiqet të bombardojë dhe ngrijë ukrainasit deri sa të nënshtrohen
Kallas ka akuzuar Rusinë se po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet përmes bombardimeve…
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka akuzuar Rusinë se po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet përmes bombardimeve dhe shkatërrimit të infrastrukturës energjetike, duke e lënë vendin në kushte ekstreme gjatë dimrit.
Sa i përket luftës në Ukrainë, Kallas u shpreh skeptike për angazhimin real të Rusisë në procesin e paqes, duke theksuar se delegacioni rus në bisedimet e zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe përbëhet vetëm nga personel ushtarak, pa mandat për të marrë vendime.
“Ata po bombardojnë ukrainasit, po përpiqen t’i bombardojnë dhe t’i ngrijnë për t’i detyruar të dorëzohen. Për këtë arsye po diskutojmë edhe mbështetjen energjetike që mund t’u japim, sepse dimri është shumë i vështirë dhe ukrainasit po vuajnë realisht. Po vjen një katastrofë humanitare,” tha ajo.
Kallas shtoi se Ukraina ka bërë tashmë shumë lëshime, ndërsa Rusia vazhdon agresionin. “Ukraina nuk është agresori. Është Rusia. Duhet të ushtrojmë më shumë presion ndaj Moskës që të shohim lëshime edhe nga ana e saj,” theksoi diplomatja europiane.
Ajo hodhi poshtë gjithashtu idenë e krijimit të një “ushtrie europiane”, duke theksuar se strukturat ushtarake duhet të mbeten në kompetencë të shteteve kombëtare, për të shmangur konfuzionin në zinxhirin e komandës.
Në lidhje me Lindjen e Mesme, Kallas bëri të ditur se një nga temat kryesore të diskutimit është Irani, përfshirë mundësinë e përfshirjes së Gardës Revolucionare Iraniane në listën e organizatave terroriste të BE-së. “Nëse vepron si terrorist, duhet të trajtohesh si terrorist,” u shpreh ajo.