Kryeministri britanik, Keir Starmer, i cili qëndron për vizitë në Pekin, ka inkurajuar bizneset e Mbretërisë së Bashkuar të zgjerojnë angazhimin me Kinën, duke theksuar dialogun, shkëmbimin dhe hapjen si çelësa për ndërtimin e besimit afatgjatë mes dy vendeve, transmeton Anadolu.

Siç raporton Global Times, duke folur në një forum biznesi në Pekin, Starmer tha se angazhimi më i thellë në tregti, kulturë dhe shkëmbime mes njerëzve është thelbësor për forcimin e respektit dhe besimit të ndërsjellë.

“Ky është një rast historik”, tha Starmer, duke shënuar vizitën e parë të një kryeministri britanik në Kinë pas tetë vitesh.

“Unë besoj thellësisht se sa më shumë të angazhohemi, sa më shumë të shkëmbejmë, sa më shumë të përfitojmë nga hapja e qasjes në mundësi, biznes, art, kulturë dhe shumë fusha të tjera, aq më shumë kjo është mënyra për të ndërtuar besimin dhe respektin e ndërsjellë që janë kaq të rëndësishme”, u tha ai pjesëmarrësve në forum.

Starmer theksoi rëndësinë e ndërveprimit të drejtpërdrejtë mes drejtuesve të bizneseve dhe zyrtarëve nga të dyja palët, duke vënë në dukje se anëtarët e delegacionit britanik kanë zhvilluar tashmë diskutime me homologët e tyre kinezë për të çuar përpara mundësi konkrete.

“Gjëja më e rëndësishme sot është që të gjithë ju të flisni me njëri-tjetrin”, tha ai, duke shtuar se dialogu i vazhdueshëm do të ndihmojë në zhbllokimin e fushave të reja të bashkëpunimit dhe rritjes.

Dje, presidenti kinez, Xi Jinping, priti në Pekin kryeministri britanik, i cili mbërriti në Kinë të mërkurën në mbrëmje, i shoqëruar nga 60 drejtues nga sektorët e biznesit, akademisë dhe kulturës.

Kina ka mundësuar udhëtim pa vizë për 30 ditë për shtetasit britanikë, ndërsa të dyja palët po lëvizin për të luftuar krimin ndërkombëtar dhe emigracionin e paligjshëm përmes një sërë marrëveshjesh.

Vizita e kryeministrit Starmer shënon herën e parë që një kryeministër britanik udhëton në Kinë që nga viti 2018 dhe vjen në një kohë tensionesh lidhur me tarifat e SHBA-së, si dhe përçarje mes aleatëve perëndimor për disa çështje, përfshirë ambiciet e SHBA-së në Grenlandë.

Pas takimit me Xi, edhe kryeministri kinez, Li Qiang, priti Starmerin dhe nënshkroi disa marrëveshje bashkëpunimi pas takimit.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com