Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për një plan “masiv” për të intensifikuar luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, duke kërkuar veprime më të fuqishme shtetërore në porte dhe aeroporte, transmeton Anadolu.

Duke folur gjatë një takimi në Pallatin Elysee me kryeministrin dhe disa ministra të kabinetit, sipas mediave lokale, Macron tha se Franca duhet t’i nënshtrohet një “ndryshimi në shkallë” në përgjigjen e saj ndaj trafikut të drogës.

Një plan gjithëpërfshirës pritet të paraqitet brenda një muaji.

Presidenti francez bëri thirrje për forcimin e veprimeve qeveritare në porte dhe aeroporte, duke i përshkruar ato si porta kyçe për trafikimin e drogës.

Ai tha se operacionet e kryera tashmë në Guianën Franceze kanë “rezultuar efektive” dhe ato duhet të përshtaten në vende të tjera.

Ai gjithashtu njoftoi se “operacionet e shpejta” do të kryhen në Francën kontinentale në ditët në vijim, ndërsa masat ekzistuese të sigurisë do të vazhdojnë në territoret e huaja.

Ai gjithashtu theksoi “sfidat specifike” me të cilat përballen Antilet Franceze, veçanërisht Martinika, duke bërë thirrje për një mobilizim “të plotë dhe masiv” të burimeve shtesë njerëzore dhe teknike ndërministrore.

Macron kërkoi propozime konkrete brenda një muaji dhe nxiti hartimin e një plani emergjent për arkipelagët, përfshirë bashkëpunimin rajonal me partnerë të huaj në Amerikën e Veriut dhe Amerikën e Jugut.

Pallati Elysee tha se Macron pritet të vizitojë Antilet Franceze “në muajt në vijim”.

Duke ritheksuar se shteti po bën “maksimumin” për të çmontuar kartelet e drogës, Macron tha se masat e përfshira në projektligjin për sigurinë e përditshme duhet të jenë “të forta”.

Projektligji po promovohet nga ministri i Punëve të Brendshme, Laurent Nunez.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com