Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, rivendosi të martën, për një vit, një marrëveshje që lejon importin dhe shpërndarjen pa taksa të produkteve nga vendet afrikane në tregun amerikan, të ashtuquajturin Akti i Rritjes dhe Mundësive Afrikane (AGOA).
Marrëveshja u rivendos deri më 31 dhjetor 2026, “me efekt prapaveprues nga 30 shtatori 2025”, data kur skadoi, tha në një deklaratë Përfaqësuesi i Tregtisë i Shtëpisë së Bardhë (USTR) Jamison Greer.
Zgjatja e marrëveshjes është përfshirë në tekstin e nënshkruar të martën, nga Trump, duke i dhënë fund paralizës tre-ditore të një pjese të qeverisë federale amerikane.
Në janar, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për të rinovuar AGOA-n për tre vjet; megjithatë, Senati e kufizoi atë në një vit.
Çfarë parashikon marrëveshja AGOA?
AGOA konsiderohet si një gur themeli i marrëdhënieve tregtare SHBA-Afrikë .
Trajtimi i saj preferencial u promovua në vitin 2000, kur demokrati Bill Clinton ishte ende president .
Ai u lejon shteteve afrikane të eksportojnë produkte të ndryshme në SHBA pa taksa, nëse plotësohen një sërë kushtesh p.sh. pluralizmi politik, mbrojtja e të drejtave të njeriut, lufta kundër korrupsionit, etj.
Rreth 30 nga afërsisht 50 vendet në kontinentin afrikan përfitojnë nga kjo marrëveshje, e cila mbulon një gamë të gjerë produktesh, nga veshmbathjet te patatet e ëmbla, përfshirë dhe makinat.
Ministri i Jashtëm i Ganës, Samuel Okundzeto Ablakwa, kishte pranuar në tetor se Uashingtoni e lidhi zgjatjen e saj me pritjen e vendit të migrantëve që deportoheshin nga SHBA-të.
Shtëpia e Bardhë e kishte bërë gjithashtu të qartë në mënyrë të përsëritur se, që të zgjerohej AGOA, vendet afrikane duhej të hapnin më tej tregjet e tyre për mallrat amerikane.
Në njoftimin e bërë publik dje, Greer theksoi se “AGOA e shekullit të 21-të duhet të kërkojë më shumë nga partnerët tanë tregtarë dhe të ofrojë akses më të mirë në tregjet e tyre për kompanitë amerikane, fermerët dhe blegtorët amerikanë”.
Ai shtoi se dëshiron të punojë me Kongresin Amerikan për ta “modernizuar” këtë marrëveshje në mënyrë që ajo të “përputhet me politikën ‘Amerika e Para’ të Presidentit Trump”.