Fillimi i epokës së Alvaro Arbeloas në stolin e Real Madridit ka qenë i mbushur me luhatje, si në fushë ashtu edhe brenda klubit.

Eliminimi nga Kupa e Mbretit ndaj Albacetes në ndeshjen e parë dhe dalja nga tetëshja më e mirë në Ligën e Kampionëve u panë si goditje të forta, por ndërkohë Arbeloa ka arritur të ngushtojë diferencën me Barcelonën në La Liga në vetëm një pikë, duke rikthyer disi shpresën në kampionat.

Sipas raportimeve të fundit, drejtuesit e klubit besojnë se ndryshimi i trajnerit ka qenë i justifikuar, pasi atmosfera në dhomat e zhveshjes është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me periudhën e Xabi Alonsos.

Arbeloa ka tentuar të krijojë një raport më të afërt me lojtarët, edhe pse disa brenda ekipit mendojnë se kjo qasje ka shkuar përtej kufijve të zakonshëm profesionalë.

Megjithatë, disa zgjedhje të tij kanë shkaktuar habi dhe pakënaqësi.

Në humbjen 4-2 ndaj Benfikës, disa lojtarë u surprizuan nga fakti që Dani Ceballos nuk u aktivizua, ndërsa në fushë u hodh një talent i Castillës, Jorge Cestero.

Këto vendime nuk kaluan pa reagim dhe trajneri u vu në dijeni për pakënaqësitë, çka mund të shpjegojë aktivizimin e Ceballos në ndeshjen pasuese ndaj Rayo Vallecanos.

Gjithashtu, në dhomat e zhveshjes ekziston ndjesia se Arbeloa nuk ka sjellë ndryshime të mëdha taktike, ndryshe nga pritshmëritë që kishte skuadra.

Pas fitores 2-1 ndaj Rayos, konferenca për shtyp e trajnerit u vonua për shkak të një diskutimi të gjatë dhe të tensionuar me lojtarët, të cilët nuk ishin dakord me disa zëvendësime dhe zgjedhje strategjike.

Për momentin, Arbeloa shihet më shumë si një zgjidhje e përkohshme sesa si trajner afatgjatë i Real Madridit, me mundësinë që në verë të largohet.

Periudha e ardhshme pa ndeshje në mesjavë do të jetë vendimtare për të dhe për rikthimin e trajnerit të përgatitjes fizike, Antonio Pintus, nëse duan të konsolidojnë pozicionin e tyre dhe të bindin klubin për progres real në fushë. /Telegrafi/

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com