Mungesa e një semafori për kthim në të majtë apo në të djathtë tek udhëkryqi në “Ilinden” të Tetovës, penalizon shumë vozitës pa të drejtë. Edhe pse makinat dalin në të gjelbër, mungesa e kohës për t’u larguar nga udhëkryqi, bën që kamera e “Safe City”, t’i regjistrojë makinat sikur kanë kaluar në semafor të kuq. Për këtë shkak, komuna e Tetovës, do ndërroj gjithë semaforët e këtij udhëkryqi.
“Veçmë kemi zgjedh firmën që do bëj instalimin e semaforëve të ri dhe heqjen e këtyre aktual, pra gjitha kryqëzimet do kenë semafor të ri modern dhe sigurisht që do rregullohet edhe problematika që është paraqitur në afërsi të shkollës së mjekësisë”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Deri në vendosjen e semaforëve të ri dhe zgjidhjes së këtij problemi, qytetarët që marrin dënime në këtë udhëkryq, duhet të paraqiten te zyra e “Safe City” në Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë.
“Qytetarët të cilët momentalisht ngelin në udhëkryq por kanë hy në të gjelbër, të njëjtëve nuk iu shqiptohet dënime, por nëse ndodh eventualisht t`iu shqiptohen dënime, duhet të drejtohen tek SPB Tetovë për ta shqyrtuar rastin”, u shpreh Muhamet Ademi, komandant i Stacionit Policor Tetovë.
Ditë më parë, në Tetovë janë vendosur edhe shenjat paralajmëruese për kamerat e Safe City, të cilët, për dallim nga shenjat nëpër autostradë, janë në dy gjuhë. /Alsat.mk