Kallëzim penal për dy romë nga Manastiri që protestuan për patentë shoferët, njëri prej tyre i kërkon falje kreut shtetëror
Rafet Memishovski nga Manastiri, përmes një videomesazhi, i ka kërkuar falje të gjithë kreut shtetëror pas kërcënimeve që bëri gjatë protestave të romëve kundër konfiskimit të automjeteve.
Memishovski, i cili u regjistrua vetë në shtëpinë e tij, deklaroi se kërcënimet për vrasje ishin rezultat i revoltës pasi kushëririt të tij i ishte sekuestruar makina sepse po drejtonte mjetin pa patentë shoferë.
Kjo kërkimfalje vjen vetëm një ditë pasi kryeministri Hristijan Mickoski kërkoi nga policia një përgjigje të ashpër për këdo që shkel ligjin ose rrezikon sigurinë publike. Ndërkohë, policia tashmë ka dorëzuar kallëzim penal kundër Rafet dhe Feim Memishovskit për “rrezikim të sigurisë” për shkak të kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj jetës së policëve.
Deklarata e Memishovskit:
“I kërkoj falje të gjithë Qeverisë, ministrive, kryeministrit dhe presidentes për gabimin që bëmë. Kërcënimet nuk do të përsëriten më, ishim të revoltuar. Nuk do të kërcënojmë askënd dhe u jam mirënjohës institucioneve,” tha ai në videon e tij.
Protestat në Manastir nisën më 3 shkurt me bllokimin e rrugës magjistrale drejt Ohrit, ku protestuesit kërkuan shfuqizimin e ligjit që parashikon konfiskimin e mjetit nëse shoferi nuk ka leje drejtimi. Pas paralajmërimit të kryeministrit se “do të ketë përgjigje të ashpër ndaj egërsisë”, protestat u ndërprenë menjëherë.