Media “Roma Press” raporton se dy pjesëmarrësit e protestës në Manastir, Rafet dhe Feim Memishovski, janë shoqëruar mbrëmë në stacionin policor për një bisedë informative. Kjo masë vjen pasi tre ditë më parë, gjatë bllokadës së rrugës Manastir-Resnjë, ata kërcënuan publikisht policinë dhe krerët e shtetit.
Deri më tani nuk është konfirmuar nëse ndaj tyre është zhvilluar vetëm bisedë informative apo do të nisë një procedurë urgjente sanksionimi.
Vlen të theksohet se, përpara se të thirreshin në polici, Rafet dhe Feim Memishovski u kërkuan falje publike udhëheqësve shtetërorë për kërcënimet e bëra.
Dyshja ishte pjesë e disa protestave të organizuara këtë javë nga qytetarë të pakënaqur, të cilëve policia u ka sekuestruar automjetet pasi i drejtonin pa pasur leje drejtimi. Shkak i kësaj situate është rregullorja aktuale, e cila lejon marrjen e patentë shoferit vetëm për personat që kanë përfunduar arsimin fillor, rregull kjo që sipas protestuesve është diskriminuese ndaj tyre.