Zeqirija Ibrahimi ka reaguar publikisht lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se realiteti në terren mbetet larg deklarimeve zyrtare të bëra ndër vite.
Ai ka theksuar se, pas disa vitesh nga pretendimet se gjuha shqipe është bërë plotësisht zyrtare në nivel shtetëror, së fundmi edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup ka konstatuar se provimi i jurisprudencës vazhdon të mos mbahet në gjuhën shqipe tash e mbi dy dekada.
Sipas Ibrahimit, kjo tregon se premtimet politike nuk janë përkthyer në zbatim praktik dhe se çështja e barazisë gjuhësore kërkon trajtim serioz institucional. Ai shtoi se njohja e së vërtetës, edhe kur vjen me vonesë, është hap i domosdoshëm për të korrigjuar padrejtësitë.
“Ra provimi i jurisprudencës e u pamë!
Pas disa viteve, qëkur e kishin gënjyer kryeministrin e Shqipërisë se shqipja në RMV është bërë zyrtare, më në fund edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup e mori vesh se shqipja te ne nuk qenka zyrtare dhe se një provim i jurisprudencës në shtetin tonë nuk mbaheshka edhe shqip për së paku dy dekada me radhë.
Asnjëherë nuk është vonë për ta kuptuar të vërtetën” ka shkruar Ibraimi