Një incident shqetësues është regjistruar sot në fshatin Strimnicë, ku një fëmijë 6-vjeçar është sulmuar nga qen endacakë teksa po kthehej nga shkolla. Rasti ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike, veçanërisht për fëmijët që çdo ditë përballen me rreziqe të tilla në rrugët që duhet të jenë të sigurta.

BDI – Dega në Komunën e Zhelinës ka reaguar ashpër ndaj këtij rasti, duke e cilësuar atë si pasojë direkte e mosveprimit institucional, mungesës së një plani konkret dhe neglizhencës së vazhdueshme në trajtimin e problemit të qenve endacakë.

Në reagimin e tyre, theksohet se kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por një fenomen i përsëritur që po krijon klimë frike te qytetarët. Sipas tyre, fëmijët po rriten me pasiguri, ndërsa prindërit përballen me ankth të përditshëm kur i dërgojnë në shkollë.

“Sa fëmijë duhet të sulmohen që institucionet të reagojnë? Sa herë duhet të përsëriten këto raste që të merren masa serioze?”, thuhet në reagim.

BDI – Dega në Zhelinë kërkon nga autoritetet komunale:

Ndërmarrjen e masave urgjente dhe konkrete në terren
Hartimin dhe zbatimin e një strategjie të qëndrueshme për menaxhimin e qenve endacakë
Garantimin e sigurisë minimale për qytetarët, në veçanti për fëmijët

Në fund, ata theksojnë se përgjegjësia institucionale është e panegociueshme: “Nëse nuk jeni në gjendje të garantoni sigurinë minimale të fëmijëve, atëherë nuk meritoni të jeni në ato pozita. Siguria e fëmijëve nuk negociohet.”

Autoritetet lokale ende nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me rastin.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume