“E kam thënë shumë herë dhe do ta them edhe tani, nuk ka gjë më të keqe për një shtet dhe për një komb sesa të kemi njerëz që udhëheqin me institucionet, pa marrë parasysh në cilin nivel, e që janë peng të dikujt, më saktë do të thosha të helmuar, të infektuar nga krimi dhe korrupsioni,” deklaroi Hristijan Mickoski Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e sotme për pyetjetë deputetëve.

Kryeministri Mickoski u bëri apel qytetarëve që të raportojnë çdo lloj abuzimi, duke theksuar se në këtë mënyrë mund të kapen në flagrancë ata që keqpërdorin pozitat e tyre.

“Ky është rezultat i një denoncimi nga viktima. Pas kësaj ndodhin zbulime edhe të viktimave të tjera, të cilat thonë “edhe unë isha, edhe unë isha”, por kjo supozoj se do të jetë pjesë e hetimit më tej për të gjitha këto raste. Prandaj unë lus, nëse ka qytetarë, pronarë kompanish që janë viktima të çfarëdo lloj shantazhi, numri im është ai, i pandryshuar, mund të raportojnë lirisht nëse mendojnë se mund të ndihmojmë. Por, duhet të marrin pjesë në proces, që të mund të arrijmë deri te kapja në vend ngjarje”, tha ai.

Kryeministri Mickoski komentoi edhe spekulimet se arrestohen vetëm persona nga pushteti, e jo nga opozita, dhe shtoi se pret që Prokurori i ri Publik të merret me raportet e revizionit për punën e funksionarëve të pushtetit të mëparshëm, pasi siç tha, aty ekzistojnë dyshime serioze për krim të kryer dhe keqpërdorime të pozitave.

“Disa do të thonë, mirë po çfarë me të mëparshmit, ne nuk mund t’i kapim në flagrancë të mëparshmit, sepse janë opozitë, por, siç theksova, kemi raportet e revizionit për të cilat pres që Prokurori i ri Publik të merret me to, pasi aty ka dyshime të bazuara për krim të kryer dhe keqpërdorime. Ndërsa të tanishmit mund t’i kapim”, tha ai.

Mickoski deklaroi gjithashtu se ka persona që thirren në emrin e tij, por siç theksoi, gjendja po ndiqet dhe do të reagojnë në mënyrë të përshtatshme, sepse, siç tha, çdo aksion ka edhe reaksion.

“Ka edhe ndërmjetës që thonë, ‘e njoh kryministrin, sapo hëngrëm drekë, darkë, për ta kryer këtë punë do të duhet kjo dhe kjo,” ka edhe të tillë. Dhe kur ata do kapen, do të tregojnë nëse e bëjnë këtë me vullnetin e tyre apo ka dikush që u ka thënë ta bëjnë. Ka ndërmjetës të tillë që po i monitorojmë në këtë moment, për institucione të ndryshme. Po i monitorojmë tani dhe presim të ndodhë lëvizja e tyre, e më pas edhe lëvizja jonë. Çdo aksion ka edhe reagim. Ky është ligj i fizikës,” është decid Mickoski.

Kryeministri Mickoski thotë se vetëm nëse qytetarët raportojnë krimin dhe korrupsionin, dhe institucionet reagojnë me kohë, mund të rikthehet besimi te qytetarët dhe të rivendoset shteti i së drejtës.

“Prandaj është shumë e rëndësishme të kemi ndërveprim të përbashkët me qytetarët. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë shtet të së drejtës dhe të rikthejmë besimin e qytetarëve”, tha Mickoski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume