Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, prezantoi të mërkurën një strategji të re kombëtare ushtarake, ndërsa Berlini i përgjigjet kërcënimit në rritje nga Moska.

Bundeswehr, ushtria e Gjermanisë, po kalon një program riarmatimi pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ndërsa vendi riktheu shërbimin ushtarak vullnetar në janar në një përpjekje për të rritur numrin e trupave.

Plani mbrojtës i Pistorius përfshin strategjinë e parë ushtarake të Gjermanisë dhe një analizë të aftësive të Bundeswehr-it, duke përcaktuar organizimin, strukturën dhe madhësinë e forcave të armatosura, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndërsa detajet janë të klasifikuara, Pistorius tha se planet përfshijnë “zhvillimin e Bundeswehr-it në ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë”.

Dhe siç thuhet më tej, Ministria e Mbrojtjes në Berlin e konsideron Rusinë si kërcënimin kryesor me të cilin përballet Gjermania.

“Me riarmatimimin e saj, ajo po përgatitet për një përballje ushtarake me NATO-n dhe e sheh përdorimin e forcës ushtarake si një instrument legjitim për të pohuar interesat e saj”, tha Pistorius.

Strategjia e Berlinit përcakton rëndësinë e armëve precize me rreze të gjatë veprimi dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore, por edhe zhvillimin e teknologjive të tilla si inteligjenca artificiale, informatika kuantike dhe robotika.

“Në afat të shkurtër, ne po rrisim aftësitë tona mbrojtëse dhe të qëndrueshmërisë; në afat të mesëm, ne synojmë një rritje të konsiderueshme dhe gjithëpërfshirëse të aftësive; dhe në afat të gjatë, ne do të krijojmë superioritet teknologjik”, shpjegoi Pistorius.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume