Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka uruar Federatën e Futbollit të Kosovës me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit në shtëpinë e futbollit botëror.

Në një postim të publikuar në profilin e tij në Instagram, Infantino vlerësoi progresin e futbollit kosovar gjatë dekadës së fundit, duke theksuar rritjen dhe ndikimin pozitiv që futbolli ka pasur te gjeneratat e reja dhe tifozët në vend.

“Përgëzime Federatës së Futbollit të Kosovës për kremtimin e 10 viteve si federatë anëtare e FIFA-s. Gjatë dekadës së kaluar, futbolli në Kosovë ka vazhduar të rritet dhe të frymëzojë shumë lojtarë të rinj dhe tifozë”, ka shkruar Infantino.

Ai po ashtu theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të FIFA-s për zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke kujtuar kontributin e ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri si dhe punën e presidentit aktual, Agim Ademi.

“FIFA mbetet e përkushtuar në mbështetjen e zhvillimit të lojës në Kosovë, i cili fillimisht u mbikëqyr nën udhëheqjen e Fadil Vokrrit dhe vazhdon edhe sot nga Agim Ademi dhe ekipi i tij”, thuhet më tej në mesazhin e presidentit të FIFA-s.

Kosova u pranua zyrtarisht në FIFA më 13 maj 2016, duke shënuar një nga momentet më historike për sportin kosovar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume