Stephan El Shaarawy ka konfirmuar se do të largohet nga Roma kur kontrata e tij të skadojë më 30 qershor, duke i dhënë fund një lidhjeje dhjetëvjeçare me “Giallorossët”, që e ka bërë një nga figurat më të dashura të historisë së fundit të klubit.

Sulmuesi anësor e bëri zyrtare largimin e tij ndërsa kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit – derbi kundër Lazios dhe sfida e fundit ndaj Veronës – përpara se të largohet nga kryeqyteti italian si lojtar i lirë.

El Shaarawy iu bashkua fillimisht Romës në janar të vitit 2016 pas një periudhe te Monaco, ndërsa më parë ishte shfaqur si një nga talentet më premtuese të Serie A te Milani.

Ai u largua drejt klubit kinez Shanghai Shenhua në verën e vitit 2019, por u rikthye te Roma në janar të vitit 2021 dhe që atëherë mbeti pjesë e rëndësishme e skuadrës.

Në dy periudhat e tij në Romë, reprezentuesi italian me origjinë egjiptiane zhvilloi 346 ndeshje për klubin, duke kontribuar me 65 gola dhe 50 asistime.

Momenti kulmor i karrierës së tij në “Stadio Olimpico” erdhi në sezonin 2021/22, kur Roma fitoi Ligën e Konferencës nën drejtimin e José Mourinhos, trofeu i parë evropian i klubit pas 61 vitesh.

Largimi i tij ishte përfolur prej kohësh.

Raportohet se trajneri Gian Piero Gasperini kishte kërkuar rinovimin e kontratës së El Shaarawyt dhe tre lojtarëve të tjerë që mbeten pa kontratë, por duket se përpjekjet nuk kanë sjellë marrëveshje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume