Dorëheqja e Arben Fetait nga pozita e zëvendëskryeministrit nuk mund të paraqitet si akt dinjiteti personal, pa u shoqëruar me përgjegjësi politike para qytetarëve, para anëtarësisë dhe para njerëzve që i besuan fjalës së tij.
Formulimet për “kokë lart” dhe “ndërgjegje të pastër” nuk mjaftojnë. Politika nuk matet me fjali të bukura në ditën e largimit, por me vendimet që janë marrë, me premtimet që janë dhënë dhe me pasojat që kanë mbetur pas.
Z. Fetai nuk mund ta shmangë faktin kryesor. Ai vetë votoi në Kryesinë e Aleancës për Shqiptarët për daljen nga qeveria, bashkë me të gjithë anëtarët e tjerë të Kryesisë. Vendimi ishte unanim. Strukturat e partisë kishin konstatuar se ndryshimet e premtuara nuk ishin realizuar dhe se Aleanca për Shqiptarët duhej të kalonte në opozitë. Mirëpo, pas atij votimi, z. Fetai bëri të kundërtën e asaj që kishte votuar vetë. Ai mbeti në qeveri, duke shpërfillur vendimin e partisë, votën e tij dhe besimin e strukturave që përfaqësonte.
Ky nuk është një detaj procedural. Ky është momenti ku ndahet përgjegjësia politike nga arsyetimi personal. Nuk mund të votosh për dalje nga qeveria, pastaj të qëndrosh në atë qeveri dhe sot të largohesh sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Më pas, z. Fetai doli publikisht me deklarata se VLEN ishte më i fortë pa Arben Taravarin dhe se brenda koalicionit kishte më shumë harmoni pas largimit të tij. Sot, dorëheqja e tij e rrëzon vetë atë deklaratë. Ku mbeti ajo harmoni? Ku përfundoi ajo forcë politike që u prezantua me aq siguri? Kush e mori përgjegjësinë për njerëzit që u bindën të ndiqnin atë rrugë?
Z. Fetai u kërkoi njerëzve t’i besonin. Disa u rreshtuan pas tij, jo pse ishin kundër Aleancës për Shqiptarët, por sepse besuan se ai kishte një plan, se kishte mbështetje, se kishte siguri politike dhe se fjalët e tij do të mbaheshin deri në fund. Sot, shumë prej tyre e shohin se u lanë në mes të rrugës, pa sqarim, pa orientim dhe pa përgjegjësi.
Aleanca për Shqiptarët nuk i sheh këta njerëz si kundërshtarë. Ata janë njerëz të kësaj shtëpie politike. Janë aktivistë, mbështetës dhe votues që për vite kanë dhënë kontribut për Aleancën. Gabimi nuk është fundi i rrugës. Fundi i rrugës është të qëndrosh peng i një vendimi që tashmë ka dështuar.
Prandaj, sot është koha për kthim. Kthim te vendimi i drejtë. Kthim te shtëpia politike ku u ndërtua besimi. Kthim te Aleanca për Shqiptarët, aty ku vendimet merren me përgjegjësi dhe ku askush nuk duhet të përdoret për ambicie të përkohshme të të tjerëve.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, z. Fetai ka folur për qeverisje të mirë, transparencë, llogaridhënie dhe integritet. Pikërisht për këtë arsye, ai ka detyrim moral dhe politik të sqarojë pse votoi për dalje nga qeveria, pse më pas mbeti në qeveri, çfarë u realizua nga premtimet e dhëna dhe pse sot largohet pa dhënë llogari të plotë për dështimin politik ku ishte vetë pjesëmarrës.
Arben Fetai u përdor për ta dëmtuar Aleancën për Shqiptarët dhe për ta goditur vendimin politik të saj. Pasi ai rol u konsumua, u la jashtë vendimmarrjes dhe u largua nga të njëjtët njerëz që e promovuan si dëshmi të një stabiliteti që nuk ekzistonte.
Dorëheqja nuk e mbyll këtë çështje. Përgjegjësia politike mbetet. Qytetarët meritojnë sqarime, jo letra lamtumire. Anëtarësia meriton respekt, jo manovra. Ndërsa të gjithë ata që e kuptuan se u drejtuan në rrugë të gabuar, e kanë vendin në Aleancën për Shqiptarët. Dera është e hapur për çdo njeri që kthehet me dinjitet, me ndërgjegje të pastër dhe me vullnet për ta vazhduar betejën politike aty ku nuk u braktis as vendimi, as fjala, as besimi.