Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkon paraburgim për ish-drejtorin e Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoev dhe tre të dyshuarve të tjerë për keqpërdorime në një procedurë të furnizimit publik për mirëmbajtjen e higjienës në pikat kufitare dhe terminalet doganore. Sipas tyre, me favorizimin e një operatori ekonomik dhe kufizimin e konkurrencës, është mundësuar përfitim i kundërligjshëm prej rreth 18,5 milionë denarësh. Hetimi përfshin edhe dyshime për marrje dhe dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm të ish-ndihmësdrejtorit të Drejtorisë së Doganave, menaxherit të një subjekti juridik dhe një të punësuari në të njëjtin subjekt.
“Ekziston dyshimi i bazuar se në periudhën korrik 2023 – mars 2024, të dyshuarit kanë manipuluar procedurën për dhënien e kontratave të furnizimit publik për mirëmbajtjen e higjienës në pikat kufitare dhe terminalet doganore, duke favorizuar një operator ekonomik të caktuar dhe duke kufizuar konkurrencën. Në këtë mënyrë, subjektit juridik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm pasuror në vlerë prej 18.479.692 denarësh”, thonë nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Nuk munguan reagimet politike. Kryeministri Mickoski thotë se ka informacione që hetimi do të zgjerohet, por do ketë aksione edhe në institucione të tjera.
“Bëhet fjalë për personin, si ta quaj se nuk kam kualifikim të drejtë, por ishte shumë i afërt me pushtetin e kaluar dhe ishte person që shpesh herë i lehtësonte këto, thënë kushtimisht, veprime që ndërlidhen me shumë shkelje ligjore. Siç e thotë populli ‘ndërmjetësues’! Nga informacionet që unë kam ky hetim do të zgjerohet dhe nga informacionet që unë posedoj në disa institucione në periudhën që pason do të ketë edhe aksione të ngjashme nga parregullsitë nga e kaluara”, u shpreh kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Nga opozita thonë se ky aksion është de fokusim i gjendjes politike në vend. Kreu i LSDM, Filipçe tha se këta përpiqen me lajme të rreme t’i mbulojnë dështimet e tyre pas vizitës së Antonio Koshtas në Shkup.
“Ato janë informacionet tona që është arrestuar dhe po merret në pyetje, unë nuk do të doja ta komentoja tani në këtë fazë. Qëndrimet tona i kemi thënë dhe nuk dua të komentojë gjykatës e prokurorë sepse nuk dua të shkoj në manitë e Hristijan Mickoskit. Mendoj se ato nuk janë shprehi të mira kështu që të presim çfarë do të thonë institucionet dhe pastaj ne do të komentojmë”, potencoi Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Në kuadër të hetimit janë siguruar prova edhe për marrje dhe dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ku i dyshuari i parë ka pranuar shpërblim në vlerë prej 111.600 denarësh për shfrytëzimin e pozitës së tij zyrtare dhe ndikimit real. Për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale, prokurori publik do t’i paraqesë gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të katër të dyshuarve.