Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në seancën e 68-të të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku në lexim të parë u shqyrtua Propozim-Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.
Gjatë diskutimit u theksua se parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat është një vlerë kushtetuese që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe paraqet një nga shtyllat themelore të karakterit multietnik të shtetit.

Ligji për herë të parë e rregullon këtë çështje në mënyrë të plotë dhe sistemore, duke e ngritur përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në nivel ligjor. Me këtë zgjidhje vendoset një kornizë e qartë institucionale, e bazuar në të dhëna reale, nevoja konkrete të institucioneve dhe mekanizma të mirëfilltë monitorimi.

Propozim-ligji parasheh që përfaqësimi i drejtë dhe adekuat të jetë obligim ligjor për institucionet publike, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjitha bashkësitë dhe duke garantuar respektimin e parimeve të barazisë, përfshirjes dhe mundësive të barabarta.

Gjithashtu, ligji parashikon mekanizma për monitorimin e zbatimit të tij, mbrojtjen e të drejtës së vetëdeklarimit dhe parandalimin e keqpërdorimeve, me qëllim forcimin e besimit në institucionet publike dhe avancimin e kohezionit shoqëror.

Qeveria mbetet e përkushtuar për ndërtimin e institucioneve profesionale, efikase dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me vlerat kushtetuese dhe standardet evropiane.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume