Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka përshëndetur zgjedhjen e Maqedonisë së Veriut si anëtare e Këshilli Ekonomik dhe Social i OKB-së (ECOSOC), duke e cilësuar këtë si një lajm të mirë dhe një vlerësim të rëndësishëm për rrugën që po ndjek vendi.

Sipas Durmishit, për herë të parë që nga pavarësia, Maqedonia e Veriut është zgjedhur anëtare e ECOSOC-it, një prej organeve kryesore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ai theksoi se pjesëmarrja në këtë organ të rëndësishëm të OKB-së përfaqëson një mundësi shtesë që vendi të jetë pjesë e proceseve dhe vendimmarrjeve që ndikojnë në zhvillimin dhe të ardhmen e shoqërive në mbarë botën.

“E mirëpres dhe e përgëzoj këtë vendim si një zhvillim pozitiv për vendin tonë”, ka shkruar Durmishi në një postim në rrjetet sociale.