Komuna e Tetovës do të subvencionojë me nga 100 euro çdo nxënës që regjistrohet në klasën e parë në shkollat fillore të qytetit. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë një konference për media.

Sipas Kasamit, Këshilli Komunal ka miratuar vendimin për subvencionimin e të gjithë nxënësve që do të regjistrohen në klasë të parë deri më 20 qershor. Familjet do të përfitojnë vauçerë në vlerë prej 100 eurosh, të cilët pritet të shpërndahen në fillim të muajit korrik.

Kryetari i komunës tha se masa synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, si dhe të inkurajojë regjistrimin e fëmijëve në shkollat fillore të Tetovës.

“Komuna qëndron afër prindërve, afër familjeve dhe afër secilit tetovar pa dallim”, deklaroi Kasami.

Ai theksoi se investimi në arsim mbetet prioritet i pushtetit lokal, duke përmendur investimet në ndërtimin e shkollave të reja, përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese dhe modernizimin e kushteve të mësimit.

Sipas tij, subvencionimi i nxënësve të klasave të para është një tjetër hap konkret në mbështetje të arsimit dhe familjeve tetovare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume