Rama: Bilanci 6-vjeçar i Qeverisë Kurti janë “vadja e Lupçit” dhe shiritat e projekteve të Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka adresuar kritika në drejtim të Qeverisë Kurti duke thënë se bilanci i pushtetit 6-vjeçar të tyre është përurimi siç e quan ai “vadja e Lupçit” dhe shiritat e projekteve të Prishtinës, shkruan Reporteri.net.
Rama përmes një postimi në Facebook ka shkruar se prerja e shirtit nga ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, i një rruge lokale të Prishtinës, është projekt, menaxhim dhe marrëdhënie kontraktuale mes Komunës së Prishtinës dhe operatorit ekonomik.
Ai thotë se kryeqyteti është investitori dhe përgjegësi i projektit në fjalë.
Rama tutje ironizon me ministrat në detyrë të Qeverisë Kurti, duke thënë se nëse kanë shumë kureshtje dhe qejf me pa qysh është me pre shirita, veç le të tregojnë dhe i thërret.
Postimi i Ramës:
BILANCI I QEVERISË KURTI PAS 6 VJETËVE: “VADJA E LUPÇIT” DHE SHIRITAT E PROJEKTEVE TË PRISHTINËS!
Ministri e paska pre shiritin e një rruge LOKALE që është projekt, menaxhim dhe marrëdhënie kontraktuale mes Komunës së Prishtinës dhe operatorit ekonomik.
Në mungesë të projekteve të veta, Qeveria ka zgjedhur të bëjë spektakël politik qesharak me një projekt që i takon Kryeqytetit, ndërsa Ministria është veç bashkëfinancuese dhe atë me një pjesëmarrje më të vogël se vetë Komuna.
Financimi është si vijon:
* Komuna e Prishtinës: 1,650,000.00 €
* Ministria: 1,500,000.00 € (të planifikuara për vitet 2024, 2025 dhe 2026)
PRA, KRYEQYTETI ËSHTË INVESTITORI DHE PËRGJEGJËSI KRYESOR I KËTIJ PROJEKTI.
Madje, deri më tani Ministria ka realizuar vetëm rreth 600,000.00 € pagesa për vitet 2024-25, ndërsa për vitin 2026 nuk ka paguar ende ASNJË euro.
Bashkëngjitur i keni faktet: kontrata është e Komunës, investitori kryesor është Komuna dhe përgjegjësia për realizimin e projektit i takon Komunës së Prishtinës.
Pas gjashtë vitesh pushtet, kur bilanci i “veprave kapitale” vazhdon të identifikohet me “vadën e Lupçit”, nuk është çudi që kanë zbrit në Prishtinë për të prerë shiritat e projekteve komunale.
Të dashur ministra, nëse keni kaq shumë kureshtje dhe qejf me pa qysh është me pre shirita, veç kallxoni! Ju thërrasim.