Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ka pësuar humbje të konsiderueshme në kapacitetin e tij ushtarak, duke thënë se aktualisht Teherani zotëron rreth 21%–22% të arsenalit të tij raketor.
Sipas Trump, sulmet amerikane kanë dëmtuar ndjeshëm aftësitë ushtarake të Iranit, duke shkatërruar objekte të prodhimit të dronëve dhe disa vende lëshimi raketash. Megjithatë, ai theksoi se Irani ende ruan kapacitete operative.
“Ende kanë aftësi. Kanë disa raketa dhe dronë. Por në krahasim me më parë, është një përqindje shumë më e ulët,” u shpreh ai.
Në të njëjtën kohë, mediat raportojnë se Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar një shitje të mundshme prej rreth 2 miliardë dollarësh për sisteme kundër dronëve në Kuvajt. Kjo shihet si pjesë e forcimit të mbrojtjes së aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, në një kohë tensionesh të rritura në rajon.
I pyetur pse Irani nuk po pranon një marrëveshje, Trump tha se vendimi është i vështirë për udhëheqjen në Teheran për shkak të presioneve politike dhe krenarisë kombëtare.
“Është shumë e vështirë për ta… ata janë të fortë dhe krenarë, por tani do të duhet të marrin vendime që nuk i kishin menduar më parë,” shtoi ai.