Mickoski: Instituti i Shëndetit Publik nga një institucion i zhytur në borxhe, sot investon në pajisje dhe infrastrukturë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Instituti i Shëndetit Publik ka kaluar nga një institucion i përballur me borxhe në një institucion që sot investon në pajisje moderne, rinovimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e shëndetit publik informon Tetovasot.
“Dëshiroj të përgëzoj për atë që është bërë. Nga një institucion që fundosej në borxhe, sot kemi një institucion që investon në pajisje dhe në rinovimin e infrastrukturës. Një institucion që në përgjithësi kujdeset për shëndetin publik”, tha Mickoski.
Ai kritikoi menaxhimin e mëparshëm të institucionit, duke iu referuar raporteve të revizionit, për të cilat tha se tregojnë se në të kaluarën institucioni kishte shërbyer për gjithçka tjetër, përveç misionit të tij kryesor – kujdesit për shëndetin publik.
Kryeministri shprehu mirënjohje për drejtoreshën e institucionit, ministrin e Shëndetësisë, drejtuesit e Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe të gjithë të punësuarit në Institutin e Shëndetit Publik, të cilët sipas tij po kontribuojnë çdo ditë në arritjen e rezultateve më të mira.
“Punonjësit e Institutit të Shëndetit Publik janë heronjtë që meritojnë një falënderim të madh për përkushtimin dhe punën e tyre të përditshme”, theksoi Mickoski.
Në fund, ai shprehu shpresën që në të ardhmen të ketë më shumë ngjarje të tilla, ku do të prezantohen projekte dhe investime që, sipas tij, korrigjojnë gabimet e së kaluarës dhe kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi më efikas shëndetësor.TS
youtube.com/live/_P65d2nRR6s?si=TfSX-lTCx7Zj89y5