Aliu: Qendra e parë këshilluese psikologjike për fëmijë dhe adoleshentë hap një qasje të re ndaj shëndetit mendor
Aliu: Qendra e parë këshilluese psikologjike për fëmijë dhe adoleshentë hap një qasje të re ndaj shëndetit mendor
Qendra e parë këshilluese psikologjike për fëmijë dhe adoleshentë u hap sot në Institutin e Shëndetit Publik në Shkup, në praninë e kryetarit të Qeverisë, prof. dr. Hristijan Mickoski, ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe drejtoreshës së Institutit, Marija Andonovska.
Qendra këshilluese nga dita e hënë do të jetë në funksion, ndërsa shërbimi do të jetë i qasshëm edhe përmes sistemit “Termini im”.
“Prej sot fillojmë me një qasje të re ndaj shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Shëndeti mendor nuk guxon të jetë temë që stigmatizohet ose lihet për më vonë. Obligimi ynë është të krijojmë një sistem që zbulon, mbështet dhe ndërhyn në kohë, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë dhe adoleshentë”, theksoi ministri Aliu.
Njëkohësisht, në Institutin e Shëndetit Publik u prezantuan edhe kapacitetet e reja të laboratorëve mikrobiologjikë, me pajisje të re në vlerë prej 15 milionë denarësh, si dhe me vënien në funksion të pajisjeve shtesë në vlerë prej rreth 11 milionë denarësh, të cilat për vite me radhë nuk ishin përdorur.
Sipas ministrit Aliu, kjo paraqet forcim të sistemit të shëndetit publik, pasi mundëson kapacitet më të madh laboratorik, diagnostikim më modern dhe gatishmëri më të mirë për t’iu përgjigjur sfidave shëndetësore.


