VLEN përgatit rokada në Qeveri: Bekim Sali drejt Shëndetësisë, Azir Aliu kandidat për zëvendëskryeministër
Koalicioni VLEN po intensifikon konsultimet e brendshme në prag të rindërtimit të Qeverisë që kryeministri Hristijan Mickoski pritet ta nisë në gjysmën e dytë të muajit qershor. Sipas informacioneve jozyrtare, në fokus të ndryshimeve janë disa nga funksionarët shqiptarë që aktualisht mbajnë poste ministrore dhe zëvendëskryeministrore, informon PressOnline.al
Një nga skenarët më të përfolur parasheh rotacion mes zëvendëskryeministrit të parë për Çështje Evropiane, Bekim Sali, dhe ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu. Në këtë rast, Sali do të merrte drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa Aliu do të emërohej zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë, në vend të Arben Fetait, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje.
Për Ministrinë e Çështjeve Evropiane përmenden si kandidatë të mundshëm Agon Ferati dhe Flakron Bejxheti. Ndërkohë, pozita e ministrit të Politikës Sociale, aktualisht e udhëhequr nga Fatmir Limani, mbetet një nga pikat kryesore të diskutimit brenda VLEN-it.
Burime partiake bëjnë të ditur se VLEN nuk planifikon ndryshime të mëdha në nivel ministrash, me përjashtim të Limanit, ndërsa pakënaqësitë më të mëdha lidhen me punën e disa zëvendësministrave dhe drejtorëve.
Në rast se VMRO-DPMNE kërkon të marrë nën kontroll Ministrinë e Shëndetësisë, VLEN pritet të kërkojë në këmbim Ministrinë e Arsimit ose ndonjë resor tjetër të rëndësishëm. Në qarqet politike po përmendet edhe emri i drejtorit të SPQ “8 Shtatori”, Siniša Stojanovski, si kandidat i mundshëm për ministër të Shëndetësisë.
Ndërkohë, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, konfirmoi se Arben Fetai do të angazhohet në një funksion të ri diplomatik në Bruksel, pasi dorëheqja e tij lidhet me emërimin si përfaqësues special.
Bisedimet mes partnerëve të koalicionit pritet të intensifikohen gjatë ditëve në vijim, kur do të qartësohet nëse Qeveria do të shkojë drejt një rindërtimi të thellë apo vetëm korrigjimeve të kufizuara në kabinetin qeveritar