Qeveria mbetet në qëndrimin se Qendra e re Klinike në Shkup duhet të ndërtohet në platonë përpara qendrës sportive “Boris Trajkovski”, konfirmoi kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e sotme për gazetarët.

​Ai informoi se trualli në lokacionin e parashikuar është në pronësi private, për çka janë në rrjedhë e sipër negociatat me pronarin për të siguruar kushtet për realizimin e projektit.

​”Definitivisht mbetemi në qëndrimin se Spitali Klinik në Shkup duhet të ndërtohet në platonë përpara pishinës ‘Boris Trajkovski’. Ky është një truall që është në pronësi private. Po negociojmë me pronarin privat dhe dëshirojmë që gjithë këtë ta bëjmë këtu, në mënyrë që përmes një tuneli nëntokësor të mund të lidhet me spitalin aktual ‘8 Shtatori’. Këtu kemi edhe PET-qendrën dhe poliklinikën ‘Bukuresht’, dhe kjo do të jetë një kompleks i plotë dhe i rrumbullakosur”, deklaroi Mickoski.

​Kryeministri vuri në dukje se Qeveria po bisedon për mundësinë e realizimit të një shkëmbimi të tokës.
​”Me pronarin e asaj parcele private po negociojmë që të bëhet një shkëmbim ‘tokë për tokë’ dhe të shohim se deri ku do të arrijmë. Deri më tani jam i kënaqur se si po rrjedhin negociatat”, tha ai.

​Përveç projektit për Qendrën e re Klinike në Shkup, Mickoski njoftoi edhe vazhdimin e aktiviteteve për ndërtimin e Spitalit Klinik në Shtip, së bashku me fakultetin e mjekësisë dhe konviktin e studentëve, si dhe për Spitalin Klinik në Tetovë dhe Shtëpinë e Shëndetit me veprimtari të zgjeruar në Kërçovë.