Korrupsioni në Çair po bëhet alarm për shtetin, ndërsa institucionet vazhdojnë të heshtin. BDI kërkon hetim urgjent dhe do të informojë institucionet evropiane për dyshimet serioze të korrupsionit, funksionimin selektiv të institucioneve dhe zhbërjen e mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.

Dokumentet që kanë arritur deri te BDI hapin dyshime serioze për mënyrën e shpenzimit të parave publike në Komunën e Çairit.

Sipas të dhënave të disponueshme, kompania NUM KONSTRAKSHN LTD, e themeluar më 10 korrik 2024, ka arritur që brenda një periudhe jashtëzakonisht të shkurtër të sigurojë katër kontrata nga Komuna e Çairit në vlerë totale prej 3.462.665 eurosh.

Kontrata nr. 1 – 88.433.315 denarë (rreth 1.44 milion euro)

Kontrata nr. 2 – 59.861.572 denarë (rreth 973 mijë euro)

Kontrata nr. 3 – 61.138.706 denarë (rreth 994 mijë euro)

Kontrata nr. 4 – 3.520.412 denarë (mbi 57 mijë euro)

Gjithsej: 212.954.005 denarë ose 3.462.665 euro para publike nga Komuna e Çairit.

Edhe më shqetësues është fakti se bëhet fjalë për një kompani e cila është themeluar vetëm pak muaj para se të fillojë të fitojë kontrata milionëshe nga Komuna e Çairit.

Veçanërisht domethënës është fakti se këto kontrata nuk janë lidhur brenda një periudhe të vetme politike.

Dy prej tyre janë nënshkruar gjatë mandatit të Visar Ganiut, ndërsa dy të tjera gjatë periudhës kur strukturat politike të Izet Mexhitit kanë kontrollin e komunës. Kjo ngre dyshime serioze se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar, por me vazhdimësi të të njëjtit model të funksionimit dhe të të njëjtave qarqe interesi.

Edhe më interesant bëhet rasti kur shihen të dhënat për adresën e kompanisë.

Sipas dokumenteve, selia e kompanisë figuron në rrugën “Dizhonska” nr. 5/X në Çair. Dokumentacioni i disponueshëm tregon se bëhet fjalë për një adresë private banimi, ndërsa në të njëjtën adresë figurojnë edhe subjekte të tjera afariste të lidhura me persona të së njëjtës familje. Këto fakte përbëjnë arsye të mjaftueshme për verifikim të plotë institucional.

Përballë këtyre fakteve, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje:

Si arriti një kompani e themeluar në vitin 2024 të fitojë mbi 3.4 milionë euro para publike?
Cilat ishin referencat dhe kapacitetet e saj reale në momentin e fitimit të këtyre kontratave?
Kush e verifikoi përmbushjen e kritereve për këto procedura?
A janë kontrolluar lidhjet eventuale afariste, familjare dhe politike që mund të kenë ndikuar në ndarjen e këtyre kontratave?
Pse institucionet vazhdojnë të heshtin përballë rasteve që në çdo demokraci funksionale do të meritonin hetim të menjëhershëm?
Veçanërisht shqetësues është fakti se pothuajse çdo aferë që del në opinion nga Çairi kalon pa reagim serioz institucional.

Kur institucionet heshtin përballë dyshimeve të arsyeshme për keqpërdorim të parave publike, krijohet bindja se lufta kundër korrupsionit nuk zhvillohet sipas ligjit, por sipas nevojave politike të pushtetit.

Prandaj BDI kërkon nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Enti Shtetëror i Revizionit dhe Prokuroria Publike që menjëherë të verifikojnë të gjitha rrethanat që lidhen me këto kontrata dhe t’i bëjnë publike gjetjet e tyre.

Njëkohësisht, BDI do të informojë Delegacionin e Bashkimit Evropian, Komisionin Evropian, eurodeputetët dhe partnerët ndërkombëtarë për dy fenomenet që po zhvillohen paralelisht në vend: mosveprimin institucional përballë dyshimeve serioze për korrupsion dhe procesin e vazhdueshëm të zhbërjes së mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku përfundojnë paratë e tyre.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume