Shkup, 12 qershor – Për të pestin vit me radhë, Komuna e Butelit e udhëhequr nga kryetari Darko Kostovski, vazhdon të anashkalojë gjuhën shqipe në aktivitetet zyrtare komunale, pavarësisht se shqiptarët përbëjnë gjysmën e banorëve dhe nxënësve në këtë komunë, shkruan gazeta KOHA. Rasti i fundit u regjistrua sot në ceremoninë e ndarjes së vauçerëve për nxënësit më të mirë të shkollave fillore komunale, ku sipas pjesëmarrësve, organizimi u zhvillua tërësisht në gjuhën maqedonase, ndërsa as certifikatat dhe dokumentet e ndara edhe për nxënësit shqiptarë nuk përmbanin asnjë fjalë në gjuhën shqipe.

Kjo ndodh në një komunë ku shkolla si “Petar Zdravkovski-Penko”, “Zhivko Brajkovski” dhe “Liman Kaba” numërojnë qindra nxënës shqiptarë. Sipas të dhënave nga shkollat komunale, më shumë se gjysma e nxënësve të arsimit fillor në Butel janë shqiptarë. Paradoksi bëhet edhe më i madh kur merret parasysh deklarata e vetë kryetarit të komunës, Darko Kostovski, i cili gjatë ceremonisë, theksoi se vauçerët u ndanë për nxënësit në “tri gjuhët mësimore – maqedonisht, shqip dhe turqisht”.

“Nën moton ‘Me zemër mësoj, me dije ia dal’, vazhdojmë traditën që e kemi nisur dhe u ndamë vauçerë financiarë nxënësve tanë më të mirë nga shkollat fillore komunale. U ndanë vauçerë financiarë në vlerë prej 12.000 denarësh dhe 6.000 denarësh për nxënësit më të dalluar. 11 nxënësve të gjeneratës, në tri gjuhët mësimore – maqedonisht, shqip dhe turqisht, iu ndanë vauçerë financiarë në vlerë prej 12.000 denarësh. Nxënësve të klasave të 8-ta, 7-ta, 6-ta dhe 5-ta, në të tri gjuhët mësimore, iu ndanë vauçerë financiarë në vlerë prej 6.000 denarësh”, deklaroi Kostovski.

Megjithatë, ndonëse në deklaratë përmendet gjuha shqipe dhe nxënësit shqiptarë, në praktikë ceremonia u zhvillua pa asnjë përmbajtje në shqip. Për shumë prindër dhe qytetarë të pranishëm në ceremoni, kjo paraqet vazhdimësi të një politike përjashtuese që ka karakterizuar mandatin e Kostovskit, ku gjuha shqipe shpesh mungon në njoftime, aktivitete dhe manifestime zyrtare të komunës. Mungesa e gjuhës shqipe në një aktivitet kushtuar nxënësve, në një komunë ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të madhe të komunitetit, hap sërish debatin për respektimin e barazisë gjuhësore dhe përfaqësimin e denjë të të gjithë qytetarëve në institucionet lokale. (koha.mk)

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume