Kjo që shihni në foto dyshohet të jetë makina që Armand Shaka ka përdorur për të transportuar dhe më pas për të zhdukur trupin e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i humbur prej disa ditësh.

Sipas Policisë së Tiranës, autori i dyshuar i rrëmbimit, Armand Shaka, 41 vjeç, është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin dhe më pas e ka vrarë dhe ka zhdukur trupin e tij.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur gjetja e motomjetit të Eglant Koçit, si dhe identifikimi i ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë për herë të fundit. Sipas provave të mbledhura deri tani, nga ky ambient ka dalë vetëm autori i dyshuar, i cili mendohet se më pas e ka transportuar 34-vjeçarin me këtë automjet.

Kontrolle të shumta janë ushtruar në ambientin ku dyshohet se është mbajtur peng Koçi, si dhe në zona të tjera në Tiranë dhe në aksin Tiranë-Elbasan, por deri më tani nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe Enea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar Armand Shakën pas ngjarjes.

Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Policia bën me dije se kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit vijojnë intensivisht.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume