Mensur Bunjaku, është personi që përfundoi në prangat e Policisë së Kosovës nën dyshimin se ka kanosur një zyrtar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare.

Sipas Sinjalit, rasti ishte denoncuar fillimisht më 2 qershor, kur një zyrtar i AUV-it kishte raportuar se ishte kërcënuar brenda hapësirave të institucionit.

Pas veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave, Policia e kishte iniciuar rastin si vepër penale “Kanosje”, ndërsa kishte nisur procedurat për intervistimin e të dyshuarit.

Bunjaku fillimisht nuk ishte hasur nga hetuesit, të cilët i kishin lënë ftesë zyrtare për paraqitje në polici.

Më 16 qershor, ai është paraqitur në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me pretendimet e ngritura ndaj tij.

Pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit kujdestar, Mensur Bunjaku është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.

Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume