LSDM ka reaguar me akuza ndaj partisë ZNAM dhe liderit të saj, Maksim Dimitrievski, duke pretenduar se ZNAM është pjesë e një marrëveshjeje politike me VMRO-DPMNE-në.

Nga LSDM deklarojnë se Dimitrievski fillimisht e ka tradhtuar partinë e tij, ndërsa më pas edhe votuesit që e mbështetën. Sipas tyre, pas dobësimit të partisë, deputetë dhe këshilltarë kanë filluar ta braktisin atë, ndërsa drejtuesit e saj kanë zgjedhur bashkëpunimin me VMRO-DPMNE-në.

“LSDM vlerëson se ZNAM nuk funksionon si një subjekt i pavarur politik, por si një satelit i VMRO-DPMNE-së, i krijuar për të dobësuar opozitën dhe për të ndikuar në elektorat”, thuhet në reagimin e partisë.

Nga LSDM gjithashtu pretendojnë se interesi personal ka qenë motivi kryesor i veprimit politik të drejtuesve të ZNAM-it. Në fund të reagimit, partia ngre pyetje lidhur me procedura të mundshme hetimore për tenderët në Postë, duke kërkuar që Prokuroria të sqarojë nëse do të ndërmarrë veprime në këtë drejtim.

Këto akuza vijnë në kuadër të përplasjeve të vazhdueshme politike mes LSDM-së, ZNAM-it dhe VMRO-DPMNE-së. Deri tani nuk ka reagim nga ZNAM lidhur me këto pretendime.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume