BOZHINOVSKA – POPOV: Bashkëpunim më intensiv ndërmjet Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale (MERMS) dhe Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve (MANU) – ekspertët maqedonas të hartojnë politikat strategjike për energjetikën dhe minierat
Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një
takim pune me akademikun Zhivko Popov, kryetar i Akademisë Maqedonase të
Shkencave dhe Arteve (MANU), ku u diskutua për vendosjen e një bashkëpunimi më
intensiv ndërmjet Ministrisë dhe institucionit më të lartë shkencor në vend, në krijimin e
politikave strategjike në fushën e energjisë, minierave dhe burimeve minerale.
Në takim u theksua se sfidat bashkëkohore në sektorin e energjisë, tranzicioni energjetik
dhe menaxhimi i qëndrueshëm i lëndëve të para minerale kërkojnë një lidhje të fortë
ndërmjet institucioneve që hartojnë politikat dhe komunitetit akademik, i cili disponon
njohuri dhe përvojë shumëvjeçare.
Ministrja Bozhinovska theksoi se bashkëpunimi i suksesshëm deri më tani ndërmjet
Ministrisë dhe MANU-së, veçanërisht në përgatitjen e dokumenteve strategjike për
zhvillimin e sektorit minerar, përbën një shembull se Maqedonia disponon ekspertë të
nivelit të lartë vendas, të cilët i njohin më së miri gjendjen, potencialet dhe nevojat e
shtetit.
„Qëndrimi im personal dhe profesional është se Maqedonia ka një potencial të fuqishëm
akademik dhe profesional, i cili duhet të shfrytëzohet shumë më tepër në hartimin e
politikave kombëtare. Në vend që të kërkojmë zgjidhje jashtë vendit, duhet të tregojmë
se kemi profesorë, akademikë dhe ekspertë tanët me përvojë të jashtëzakonshme, të
cilët mund të kontribuojnë në përgatitjen e dokumenteve strategjike dhe planeve
zhvillimore për shtetin tonë. Në këtë mënyrë ndërtojmë politika të bazuara në dijen
vendase, përvojën praktike dhe interesin kombëtar", theksoi ministrja Bozhinovska.
Gjatë bisedimeve u theksua edhe mundësia për një bashkëpunim më intensiv me
Departamentin e Shkencave Teknike pranë MANU-së, veçanërisht në fushën e
energjetikës, me qëllim që arritjet shkencore dhe analizat e ekspertëve të përfshihen
edhe më aktivisht në formësimin e mëtejshëm të drejtimeve afatgjata të zhvillimit të
sektorit energjetik maqedonas.
Siç u theksua në takim, sektori i energjetikës sot po zhvillohet me një ritëm
jashtëzakonisht të shpejtë, ndërsa teknologjitë e reja dhe trendet evropiane po hapin
çështje që deri para disa vitesh nuk kanë qenë pjesë e politikave kombëtare. Ligji i ri për
Energjetikën sjell zgjidhje dhe fusha moderne që deri më tani nuk kanë qenë të
rregulluara plotësisht në legjislacionin vendor, ndër të cilat përfshihen sistemet e
baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, rrjetet inteligjente dhe moderne, zhvillimi i elektromobilitetit, modelet e reja të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së
energjisë elektrike, si dhe integrimi i teknologjive bashkëkohore në sistemin energjetik.
Njëkohësisht, Maqedonia do të ketë edhe një ligj të ri për burimet e ripërtëritshme të
energjisë, ndërsa procese të rëndësishme zhvillimore po zhvillohen edhe në fushën e
efikasitetit energjetik.
Në këtë kontekst, u vlerësua se është veçanërisht e rëndësishme që komuniteti
shkencor dhe profesional të kontribuojë në mënyrë aktive në ndjekjen e trendeve
bashkëkohore dhe në integrimin e tyre të duhur në politikat afatgjata dhe drejtimet
zhvillimore të sektorit energjetik maqedonas.
Ministrja Bozhinovska dhe akademiku Popov u pajtuan se bashkëpunimi ndërmjet
institucioneve dhe komunitetit shkencor duhet të jetë një proces i vazhdueshëm, i cili do
të kontribuojë në miratimin e zgjidhjeve cilësore dhe të qëndrueshme, të bazuara në
dijen vendase, argumentet shkencore dhe kapacitetet profesionale, në interes të
zhvillimit të energjisë, minierave dhe burimeve minerale të Maqedonisë.

