Nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e riemërtimit të rrugëve në Tetovë, duke akuzuar BDI-në dhe Gjykatën Kushtetuese për veprime të koordinuara me prapavijë politike.

Qamili vlerësoi se bëhet fjalë për një “punë gjysmake të BDI-së”, duke shtuar se tandemi BDI–Gjykata Kushtetuese po vazhdon përpjekjet për ta goditur VLEN-in përmes, goditjes së interesave të shqiptarëve.

“Po shfuqizohet një vendim që nuk është implementuar asnjëherë. Këtë vendim skandaloz e bazojnë te procedura që vetë BDI-ja nuk e respektoi, prandaj edhe emërtimet e atëhershme nuk u bënë asnjëherë të plotfuqishme”, deklaroi Qamili.

Ai tha se nuk ka dyshim që përbërja aktuale e Gjykatës Kushtetuese ndien detyrim ndaj shumicës së kaluar qeverisëse që i zgjodhi gjykatësit kushtetues, duke shtuar se vendimet e saj po i shërbejnë politikisht BDI-së.

Sipas Qamilit, mjafton të shihet se kush e mirëpriti vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për të kuptuar, siç tha ai, motivet politike që qëndrojnë pas tij.

Nënkryetari i Tetovës theksoi se Komuna tashmë i ka paraprirë kësaj situate dhe ka formuar Komisionin për Riemërtimin e Rrugëve, i cili po punon intensivisht për një zgjidhje të re.

“Komisioni për Riemërtimin e Rrugëve në Tetovë po punon intensivisht dhe së shpejti do të propozojë një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e cila reflekton realitetin shoqëror të Tetovës”, tha Qamili.

Ai shtoi se procesi i emërtimit të rrugëve do të përmbyllet me një zgjidhje të qëndrueshme dhe ligjërisht të rregullt, duke shmangur problemet procedurale që, sipas tij, kanë shoqëruar vendimet e marra në të kaluarën./Zyrtare.net/