Urim Saliu

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duket sikur janë mbështetur për muri. Kryeqendra politike e vendit u humb për shqiptarët shumë kohë më parë. Sot, shqetësimi po zhvendoset drejt Tetovës, qytetit që për dekada ka qenë zemra e kulturës, arsimit, identitetit dhe vetëdijes kombëtare shqiptare.

Reagimi i fundit i Bajram Rexhepit lidhur me anulimin e vendimit për emrat e rrugëve në Tetovë nuk duhet parë vetëm si një reagim partiak. Ai prek një plagë më të thellë dhe një frikë që po përhapet gjithnjë e më shumë mes shqiptarëve, pra me frikën se po zbehen gradualisht simbolet e identitetit të tyre.

Emrat e rrugëve nuk janë vetëm tabela metalike. Ato janë kujtesë historike, identitet kolektiv dhe dëshmi e një kohe kur shqiptarët fituan të drejtën të jenë të dukshëm në hapësirën publike. Pikërisht për këtë arsye vendime të tilla krijojnë ndjesinë se nuk po sulmohen vetëm emra, por vetë memoria historike e një populli.

Tetova nuk është një qytet i zakonshëm. Për shumë shqiptarë ajo përfaqëson kalanë e fundit të identitetit kombëtar në këtë hapësirë. Nëse zbehet roli i saj, nëse relativizohen simbolet e saj dhe nëse heshtet përballë proceseve që perceptohen si cenim i identitetit, atëherë lind pyetja se çfarë mbetet nga ai ideal për të cilin janë bërë aq shumë sakrifica.

Kjo është arsyeja pse sot vëmendja është drejtuar kah kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Kjo është një nga ato momente kur qytetarët nuk presin vetëm administrim të përditshëm, asfalt apo projekte infrastrukturore. Ata presin që të dëgjohet zëri i shqiptarëve, ai zë i largët që shumëkush mendon se po shuhet në heshtje.

Nëse ekziston një sfidë që kërkon qëndrim dhe rezistencë institucionale, ajo është kjo. Jo për interesa partie, por për interes të identitetit dhe kujtesës kolektive. Shqiptarët e Tetovës nuk e kanë votuar udhëheqjen lokale vetëm për të menaxhuar komunën. E kanë votuar edhe për të mbrojtur karakterin dhe shpirtin e qytetit.

Sot nuk ka tanke në rrugë dhe nuk ka luftëra klasike. Por shumë njerëz besojnë se ekzistojnë forma të tjera ndikimi, strategji politike dhe vendime institucionale që mund të ndryshojnë gradualisht realitete të ndërtuara me dekada.

Prandaj momenti kërkon qartësi. Nëse Tetova është simbol i identitetit shqiptar, atëherë mbrojtja e atij simboli nuk është çështje pushteti. Është çështje përgjegjësie historike.
Për shqiptarët, pushteti ka qenë gjithmonë i përkohshëm. Identiteti jo.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume