Parlamentit Europian miraton amendamentin për shqipen në provimet shtetërore, thirrje urgjente për Shkupin të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit
Gjatë seancës së sotme, Parlamentit Europian miratoi edhe amendamentin për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore, përfshirë dhe atë të Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut.
Sipas raportit, Parlamenti Evropian i bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt këtë çështje, si dhe kërkon që protestat e studentëve të mos portretizohen si faktor destabilizues apo si të motivuara politikisht.
“I bëjmë thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si në ligj ashtu edhe në frymë, dhe të mos i paraqesin në mënyrë të pasaktë protestat e studentëve si të motivuara politikisht apo si një faktor destabilizues”, thuhet në amendamentin e miratuar nga PE.
Kujtojmë se ditë më parë disa përfaqësues nga grupi i studentëve protestues në Shkup, u takuan me përfaqësuesit e PE-së, tek të cilët shprehën revoltën e tyre për mosrespektimin e gjuhës shqipe dhe moslejimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip.