Nëse viti 2001 kujtohet si viti i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, atëherë viti 2026 mund të
regjistrohet si viti kur një brez studentësh ndali degradimin e saj, identifikoi autorët e
krizës dhe riktheu Maqedoninë e Veriut në trajektoren e saj natyrore euroatlantike.
Lëvizja studentore shqiptare përfaqëson jo vetëm një protestë të suksesshme, por edhe një
paradigmë të re të diplomacisë kombëtare shqiptare
Nga Prof. Dr. Skënder Asani
Në gjashtë muajtë e pare të vitit 2026, një çerek shekulli pas nënshkrimit të Marrëveshjes
Kornizë të Ohrit, Maqedonia e Veriut u përball me krizën më të thellë politike, kushtetuese dhe
gjeopolitike që nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001. Ajo që për vite me radhë ishte perceptuar
si stagnim institucional, zbatim selektiv dhe relativizim gradual i dispozitave të Marrëveshjes së
Ohrit, u shfaq tashmë si një përpjekje e koordinuar për transformimin e karakterit multietnik të
shtetit dhe për rrënimin e arkitekturës politike që garantoi paqen, stabilitetin dhe orientimin
euroatlantik të vendit.
Një analizë e zhvillimeve të njëzet e pesë viteve të fundit dëshmon se nuk bëhej fjalë për episode
të veçuara politike apo vendime të rastësishme institucionale. Përkundrazi, ato përfaqësonin një
projekt afatgjatë, i orientuar drejt zbehjes graduale të Marrëveshjes së Ohrit nga përmbajtja e saj
substanciale. Strategjia ndiqte një kronologji të qartë: neutralizimin politik të aktorëve të procesit
të Marrëveshjes së Ohrit, fragmentimin e përfaqësimit politik shqiptar, delegjitimimin e
kërkesave kolektive shqiptare dhe, në fund, krijimin e kushteve për një sulm juridik dhe
institucional ndaj vetë Marrëveshjes.
Nga kjo perspektivë, ardhja në pushtet e Hristijan Mickoskit nuk përbënte fillimin e këtij procesi,
por fazën e tij përmbyllëse. Ai u shndërrua në administratorin politik të një projekti të ndërtuar
ndër vite nga qarqe nacionaliste maqedonase, të mbështetura nga rrjete rajonale ndikimi të
lidhura me konceptin e ashtuquajtur “Bota Serbe”, segmente të strukturave oligarkike ballkanike
dhe aktorë gjeopolitikë që historikisht kanë kundërshtuar zgjerimin e hapësirës euroatlantike në
Ballkanin Perëndimor.
Pas marrjes së pushtetit, procesi u zhvillua paralelisht në dy drejtime strategjike. Së pari, synohej
fragmentimi i skenës politike shqiptare dhe shndërrimi i përfaqësimit politik në një mekanizëm
të kontrollueshëm. Së dyti, synohej relativizimi i të drejtave të garantuara nga Marrëveshja e
Ohrit, veçanërisht përmes kontestimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe instrumentalizimit
politik të institucioneve kushtetuese.
Në këtë kontekst, paralajmërimet e vazhdueshme të partnerëve euroatlantikë marrin një
domethënie shumë më të thellë. Mesazhet që vinin nga kryeqendrat perëndimore nuk ishin
komente rutinore diplomatike, por sinjale se bashkësia ndërkombëtare kishte identifikuar
rrezikun e një devijimi strategjik që mund të cenonte jo vetëm stabilitetin e Maqedonisë së
Veriut, por edhe ekuilibrin e brishtë të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, pikërisht në momentin kur projekti dukej se po hynte në fazën e realizimit të plotë,
në skenë u shfaq aktori më i papritur i krizës: lëvizja studentore shqiptare.
Paradoksi historik i gjashtë muajve të pare të vitit 2026 qëndron në faktin se një projekt i
ndërtuar për më shumë se dy dekada u sfidua jo nga partitë politike, institucionet shtetërore apo
strukturat tradicionale të përfaqësimit, por nga një brez studentësh që artikuluan atë që fillimisht
dukej si një kërkesë modeste juridike: të drejtën kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe në
provimin e jurisprudencës.
Këtu fillon fenomeni që mund të përkufizohet si “Diplomacia e Shahut Studentor” ose “Shah-
Mati Diplomatik i Vitit 2026”.
Ajo që e dallon këtë lëvizje nga shumica e protestave në historinë bashkëkohore të rajonit është
fakti se ajo refuzoi logjikën tradicionale të përplasjes politike. Studentët ndërtuan një model
veprimi të bazuar mbi diplomacinë strategjike, argumentin juridik, internacionalizimin inteligjent
dhe menaxhimin racional të konfliktit, në vend të mobilizimit emocional dhe retorikës
konfrontuese.
Në terminologjinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, ky ishte një ilustrim i qartë i konceptit të
“fuqisë së mençur”, ku legjitimiteti juridik, mobilizimi qytetar, diplomacia publike dhe
mbështetja ndërkombëtare bashkohen në një instrument strategjik me ndikim shumë më të madh
sesa përplasja tradicionale politike.
Kundërshtarët e Marrëveshjes së Ohrit e kishin ndërtuar strategjinë e tyre mbi provokimet
politike, polarizimin etnik dhe narrativën se shqiptarët përbënin rrezik për stabilitetin e shtetit.
Studentët e shkatërruan këtë konstrukt me një kërkesë të vetme, juridikisht të pakontestueshme.
Kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe nuk buronte nga interpretime ideologjike, por nga
Kushtetuta, nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit dhe nga standardet evropiane për mbrojtjen e të
drejtave gjuhësore.
Ky ishte manovrimi vendimtar në shahun diplomatik në gjasht muajtë e pare të vitit 2026. Aty ku
pritej radikalizim, studentët ofruan argument kushtetues. Aty ku parashikohej konflikt etnik, ata
sollën standard evropian. Aty ku pritej retorikë nacionaliste, ata artikuluan gjuhën universale të
të drejtave të njeriut. Në gjuhën popullore shqiptare kjo do të quhej “tetë me dy”; në
terminologjinë strategjike ishte një shah-mat diplomatik.
Dimensioni i dytë i suksesit ishte internacionalizimi i menjëhershëm i çështjes. Protestat në
Shkup tejkaluan kufijtë lokalë dhe u shndërruan në një platformë rajonale mobilizimi politik,
duke krijuar një bosht të ri komunikimi shqiptar ndërmjet Shkupit, Tiranës dhe Prishtinës. Pas
shumë vitesh, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit u rikthye si temë diskutimi në qendrat evropiane të
vendimmarrjes.
Kulmi i kësaj strategjie u materializua me depërtimin e kauzës studentore në Parlamentin
Evropian, ku takimet e zhvilluara gjatë javës paraprake me eurodeputetë dhe përfaqësues të
institucioneve evropiane i paraprinë drejtpërdrejt Rezolutës së miratuar më 17 qershor në
Strasburg. Për herë të parë pas shumë vitesh, një çështje e lidhur me zbatimin e Marrëveshjes
Kornizë të Ohrit u ngrit me kaq elegancë diplomatike dhe u kurorëzua me një sukses politik që
sfidoi hapur përpjekjet e qeverisë së udhëhequr nga Mickoski për të zbehur ose relativizuar
frymën dhe mekanizmat e Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë kuadër, amendamenti i miratuar nga
Parlamenti Evropian, i cili u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut të zgjidhin pa
vonesë çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore të Jurisprudencës dhe të
mos i paraqesin protestat studentore si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues, përbën
jo vetëm një fitore të studentëve, por edhe një riafirmim ndërkombëtar të detyrimit për zbatimin
e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit “si në ligj ashtu edhe në frymë”. Njëkohësisht, ky zhvillim
zhveshi nga legjitimiteti dhe vizioni elitat politike shqiptare, duke dëshmuar se mbrojtja e
çështjes shqiptare nuk realizohet përmes retorikës së konsumuar apo kompromisit të
vazhdueshëm, por përmes veprimit të mençur strategjik, diplomacisë së organizuar dhe
këmbënguljes së palëkundur në mbrojtjen e të drejtave të fituara me Marrëveshjen e Ohrit.
Kështu, lëvizja studentore arriti ta shndërrojë një problem specifik juridik në një test evropian
për funksionalitetin e demokracisë multietnike në vend, duke e vendosur qeverinë përballë një
presioni politik dhe moral që buron tashmë jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga vetë
institucionet evropiane.
Nga ai moment, problemi nuk ishte më një përplasje mes qeverisë dhe studentëve. Sfida
themelore për Bashkimin Evropian u bë pyetja nëse një shtet mund të pretendojë integrim
evropian ndërkohë që minon marrëveshjen bazë mbi të cilën mbështetet stabiliteti i tij.
Një dimension veçanërisht i rëndësishëm në këtë proces ishte roli i diplomacisë shqiptare. Në
këtë kuadër, aktiviteti i ambasadorit Denion Meidani përfaqëson një shembull të rrallë të
ndërveprimit ndërmjet diplomacisë klasike dhe diplomacisë publike. Rëndësia e angazhimit të tij
nuk qëndronte vetëm në mbështetjen morale ndaj studentëve, por në aftësinë për t’i harmonizuar
aspiratat legjitime të lëvizjes me interesat strategjike të aleatëve euroatlantikë.
Në një periudhë kur situata rrezikonte të rrëshqiste drejt tensioneve ndëretnike, diplomacia e
balancuar e Meidanit kontribuoi në ruajtjen e fokusit mbi parimet demokratike, integrimin
evropian dhe respektimin e marrëveshjeve themelore të shtetit. Ky ishte një eksperiment i
suksesshëm i diplomacisë parandaluese, i cili jo vetëm mbështeti kauzën studentore, por edhe
neutralizoi potencialin destabilizues dhe orientoi debatin drejt mekanizmave perëndimorë të
zgjidhjes së krizave.
Koordinimi efektiv ndërmjet diplomacisë, mobilizimit qytetar dhe internacionalizimit të kauzës e
pengoi lëvizjen të rrëshqiste në konfrontim politik. Në vend të krizave u prodhua legjitimitet. Në
vend të polarizimit u krijua monitorim ndërkombëtar. Në vend të konfliktit u gjenerua presion
institucional.
Nervozizmi në rritje i elitës qeverisëse dhe përpjekjet për ta zhvendosur debatin publik drejt
zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk duhet të interpretohen vetëm si manovra të
zakonshme politike. Në thelb, ato reflektojnë frikën se përgjegjësia për stagnimin demokratik,
përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe bllokimin e procesit të integrimit evropian mund
të identifikohet qartë në raportet dhe rezoluta. Presioni që do të krijohet pas rezolutës ndëshkuese
që u miratua në Parlamentin Evropian më 17 qershor në Strasburg, i kombinuar me protestat e
fuqishme dhe sfidën politike e morale që sollën studentët shqiptarë, si dhe me krizën ekonomike
dhe keqmenaxhimin e shtetit, po e shtyn kryeministrin Mickoski drejt opsionit të zgjedhjeve të
parakohshme parlamentare. Për këtë arsye, kryeministrit Mickoski nuk duhet t’i lejohet që
përmes zgjedhjeve të parakohshme të shtyjë edhe për një vit zgjidhjen e çështjeve urgjente që
lidhen me integrimin evropian dhe rikthimin e normalitetit në marrëdhëniet ndëretnike. Një
skenar i tillë do të nënkuptonte humbjen e një kohe të çmuar politike në një moment vendimtar
për shtetin, si dhe thellimin e krizës së besimit ndërmjet komuniteteve, duke e larguar më tej
vendin nga standardet evropiane dhe nevoja për vendimmarrje të përgjegjshme mbi të ardhmen e
tij strategjike.
Për pasojë, situata aktuale kërkon maturi strategjike nga faktori politik shqiptar. Objektivi nuk
duhet të jetë shpëtimi i elitave që prodhuan krizën, por krijimi i një formule tranzitore që mund të
rikthejë normalitetin institucional. Një qeveri ekspertësh deri në zgjedhjet e rregullta të vitit 2028
do të mundësonte stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike, përshpejtimin e reformave, realizimin
e ndryshimeve kushtetuese dhe avancimin real të integrimit evropian, duke ndjekur modele të
suksesshme si ato të Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Lëvizja studentore shqiptare realizoi tre fitore të mëdha. Së pari, ndali fazën përfundimtare të
projektit për relativizimin dhe rrënimin e Marrëveshjes së Ohrit. Së dyti, e riktheu çështjen
shqiptare në kuadrin e parimeve evropiane dhe të drejtave themelore. Së treti, detyroi bashkësinë
ndërkombëtare ta rikthejë vëmendjen te Marrëveshja e Ohrit si kushti themelor për stabilitetin
dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Pasojat rajonale të kësaj përvoje janë po aq të rëndësishme. Lëvizja studentore e gjashtë muajve
të pare të vitit 2026 dëshmoi se në realitetin e ri gjeopolitik, fitoret strategjike nuk arrihen vetëm
përmes debatit të brendshëm politik, por përmes kombinimit të mobilizimit qytetar,
internacionalizimit inteligjent dhe koordinimit diplomatik me qendrat euroatlantike të
vendimmarrjes. Në këtë kuptim, ajo paraqet një model referues edhe për Kosovën në përpjekjet e
saj për konsolidimin e subjektivitetit të plotë ndërkombëtar.
Në këtë situatë, faktori politik shqiptar përballet me një përgjegjësi historike. Momenti kërkon
kohezion strategjik dhe jo konkurrencë elektorale. Objektivi nuk duhet të jetë menaxhimi i një
krize tjetër, por rikthimi i shtetit në normalitet kushtetues, demokratik dhe euroatlantik.
Historia e gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 mund të mos kujtohet vetëm si historia e një revolte
studentore. Ajo mund të kujtohet si historia e një diplomacie qytetare shqiptare të suksesshme, që
dëshmoi se në shekullin XXI fitoret strategjike arrihen përmes bashkimit të legjitimitetit juridik,
mobilizimit qytetar, diplomacisë ndërkombëtare dhe mençurisë politike.
Nëse viti 2001 kujtohet si viti i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, atëherë viti 2026 mund të
regjistrohet si viti kur një brez studentësh ndali degradimin e saj, identifikoi autorët e krizës dhe
riktheu Maqedoninë e Veriut në trajektoren e saj natyrore euroatlantike. Lëvizja studentore
shqiptare përfaqëson jo vetëm një protestë të suksesshme, por edhe një paradigmë të re të
diplomacisë kombëtare shqiptare dhe një rast studimor me vlerë akademike për të kuptuar
mbrojtjen e të drejtave, paqes dhe orientimit perëndimor të një shteti multietnik në epokën e
integrimeve.
Shkup, 18 qershor 2026